Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë për Vizion Plus tregon detajet nga letra e dërguar drejt qeverisë Kurti dhe ndërkombëtarëve, ku thekson rrezikun që i kanoset komunitetit që ai përfaqëson, pas ndodhive në veri të Kosovës.

 

“Në fakt këtë letër nuk ia kam dërguar vetëm kryeministrit Kurti, po ia kam dërguar edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, ia kam dërguar SHBA, DASH, Këshilltarit të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Borrell e Lajçak në BE, ia kam dërguar edhe kryeministrit Rama në Shqipëri e në fund padiskutim ia kam dërguar edhe kryeministrit Kurti, për arsye se ai është i prerë në këtë moment dhe kam ngritur shqetësimin që kemi në në Luginë të Preshevës pas ngjarjeve të 24 shtatorit, që ne mund të jemi shenjestër numër një nga grupet e tjera ekstremiste, por mbase edhe nga i njëjti grup, për faktin se tanimë në veri të Kosovës nuk e kanë këtë mundësi për të sulmuar. Ne mund të jemi edhe shënjestër e një grupi në komunitetin shqiptar këtu ku jetojnë, në Bunajovcë, në Preshevë”, thotë ai duke nënvizuar se kërcënimet kanë qenë prezente edhe më herët, ndërsa pohon se kjo mund të jetë edhe skenar nga Rusia për destabilizm të rajonit.

 

A keni pasur ndonjë reagim ndaj letrës nga Kurti?

 

“Ai mundet me mua të ketë diçka personale”, thotë ai duke nënvizuar se ai nuk ka asgjë personale me të, përtej anës politike dhe mbrojtjes së të drejtave të komunitetit që ai përfaqëson. “Nuk kemi pasur ende përgjigje nga Kurti. Kemi pasur përgjigje nga të gjitha adresat e tjera ku e kemi dërguar, së paku na kanë thënë që e kemi pranuar shqetësimin tuaj dhe do të punojmë me shqetësimin tuaj”, shton ai.

 

Në tre komunat e Preshevës jetojnë rreth 62 mijë shqiptarë, cila është gjendje e tyre sot, ekonomike dhe sociale?

 

“Nuk ka ndryshuar fare nga vitet ’90, diskriminimi ka filluar që nga atëherë e deri në ditët e sotme”, thekson ai duke shtuar se ka qenë gjithmonë kritik ndaj Kosovës e Shqipërisë, për mungesën e mbështetjen në këtë situatë.”Ne jetojmë në mënyrë të diskriminuar, siç thonë këtej nga ne, jetojmë në “gojën e ujkut”, nënvizon ai duke theksuar se askush nuk përkujdeset.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re