Problemet me ritmin e zemrës (aritmia e zemrës) ndodhin kur impulset elektrike që koordinojnë rrahjet e zemrës nuk funksionojnë siç duhet, duke shkaktuar kështu rrahje më të shpejta, më të ngadalta apo të çrregullta të zemrës.
Disa nga aritmitë e zemrës mund të shkaktojnë shenja dhe simptoma të bezdisshme, ndonjëherë edhe jetëkërcënuese.
Trajtimet për aritminë e zemrës mund të mbajnë nën kontroll rrahjet e shpejta, të ngadalta ose të çrregullta të zemrës. Gjithashtu mund të ulni rrezikun e aritmisë duke adoptuar një mënyrë jetese të shëndetshme.
Simptomat
Aritmia mund të mos shkaktojë asnjë shenjë apo simptomë. Prandaj mund të zbuloni se keni aritmi edhe gjatë një ekzaminimi rutinë tek mjeku. Gjithsesi, shenjat dhe simptomat e dukshme nuk do të thonë medoemos se keni një problem serioz.
Simptomat e dukshme të aritmisë janë:
Mungesë rehatie në gjoks
Rrahje shumë të shpejta të zemrës (takikardi)
Rrahje të ngadalta të zemrës (bradikardi)
Dhimbje të kraharorit
Marrje fryme
Marrje mendsh
Djersitje
Plogështi ose gjendje të fikëti
Kur duhet të paraqiteni tek mjeku
Aritmitë mund të shkaktojnë rrahje premature ose të shpeshta, ose mund të ndieni sikur zemra po rreh më shpejtë ose më ngadalë. Shenjat dhe simptomat e tjera lidhen me zemrën që nuk pompon siç duhet për shkak të rrahjeve shumë të shpejta ose të ngadalta.
Këtu përfshihen problemet me frymëmarrjen, marramendja, plogështia, zbehje të fytyrës dhe gjendje të fikëti, si dhe dhimbje në të gjithë pjesën e kraharorit.
Kërkoni kujdes mjekësor të menjëhershëm nëse i përjetoni këto shenja dhe simptoma krejt rastësisht ose shpesh, në një kohë që nuk e prisnit.
Fibrilacioni ventrikular është një nga llojet më vdekjeprurëse të aritmisë. Ndodh kur zemra rreh me impulse elektrike të shpejta dhe të çrregullta. Personit mund t’i bjerë të fikët brenda pak sekondash dhe mund të mos ketë puls. Në këtë rast duhet njoftuar menjëherë urgjenca mjekësore./Kosova Post/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re