Sipas gazetarit Arian Çani, duke marrë parasysh krizën aktuale në Shqipëri nuk do të ketë ndonjëherë zgjidhje.

Gjatë emisionit “Provokacija” të Mustafa Nanos, ai theksoi se njerëzit publikë që kanë hapësira në media të mos i bëjnë njerëzit që të ëndërrojnë më kot.

“Nuk ka zgjidhje. Mendimi im është që nuk do ketë zgjidhje asnjëherë. 

Mirë është që ne që të paktën kemi një foltore, një mundësi nga një ekran i caktuar siç është Klan apo ABC-ja mirë është që aq sa mundemi, me aq sa na dëgjojnë ata që na kanë xhan, apo që na kanë inat, mos t’i bëjmë kot të ëndërrojmë. 

Nuk do ketë zgjidhje. Kjo nuk është pesimiste ta thuash”, tha Çani.

Sipas moderatorit të emisionit “Zonë e lirë”, vendi ynë nuk është një vend me demokraci të konsoliduar.

Çani theksoi se zgjedhjet dhe votat respektohen më shumë në vendet tona fqinje. Sipas tij bëhet fjalë për luftë për pushtet, ku dikush do humbasë.

“Sepse nuk jemi në një vend me demokraci të konsoliduar. Jemi në një vend hibrid. 

Në një vend që nuk është as diktaturë, por nuk është as demokraci. Deri në momentin, kur ne jemi dakord që zgjedhje në këtë vend nuk janë bërë kurrë të rregullta, gjithmonë tjetri paragjykohet thotë që “i ke vjedhur” i ke vjedhur”, çdo bisedë tjetër pas këtij momenti është e kotë. 

Pra si të thuash duhet ta heqim këtë lloj hipokrizie. Ne jemi një vend ku zgjedhjet dhe vota nuk respektohet. 

Ndërkohë që vota respektohet shumë mirë në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi. 

Vetëm tek ne vazhdon të ndodhë që fituesi të paragjykohet dhe me të drejtë sepse faktet, interpretimi i tyre, janë të mjaftueshme që të na bëjnë të besojmë se nuk ka palë të drejta dhe palë të gabuara. 

Është luftë për pushtet dhe unë them që kjo luftë do të vazhdojë dhe patjetër që dikush do humbasë nga kjo luftë. S’mund të vazhdohet me këtë histori  që të bëhet luftë dhe të gjitha palët të dalin të fituara”, tha Arian Çani.

Ndër të tjera, dy gazetarët prekën edhe frikën për një përplasje civile që mund të ndodhë për shkak të krizës politike. Mirëpo sipas Arian Çanit, shqiptarët nuk do bëjnë ndonjëherë përplasje civile për votën e lirë.

Arian Çani: Ti mendon që jeton mes banorëve të cilët janë kaq të ndjeshëm dhe kaq koshientë për votën e blerë sa të ngrihen dhe të venë jetën e tyre në rrezik? Ti mendon se jeton me banorë të tillë?

Kam përshtypjen se ke një imazh pak më të bukur seç duhet për banorët që të rrethojnë Muçi. Nuk mendoj se janë kaq njerëz të rafinuar. Janë më bazikë shqiptarët.

Domethënë nuk mendoj se do ngrihen ndonjëherë të bëjnë revolucion apo të bëjnë përplasje civile për votën e lirë. Është luks i madh apo jo?

Mustafa Nano: Këta që dalin votën e lirë e kanë sebep. Unë e di që ata me votën e lirë s’kanë lidhje. As nuk e duan të lirë sepse kur kanë qenë në pushtet vidhnin vota.

Arian Çani: Unë nuk doja të thosha këtë. Unë doja të thosha që ndërgjegjja shoqërore nuk ka arritur dhe ndoshta nuk do të arrijë kurrë që të shkojë në revolucion, të shkojë në një kryengritje apo protestë madhështore për të vënë në jetë apo për të rikthyer në Shqipëri njëherë e mirë votën e lirë.

Është budallallëk që të marrësh anë në këtë moment. E di kur do merrja anë unë Muçi, sikur populli të ngrihej pa i vënë datë.

Në momentin që Basha lë takim, për mua nuk është populli. Populli nuk ka nevojë për Lul Bashën. Fakti që kjo nuk funksionon atëherë kemi të bëjmë me dy grupe, janë njerëz që duan t’i japin sens jetës së tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re