Nga: Floriar Arapi

Arjani, heroi i gjithëpërmendur i ditëve të fundit, ishte një njeri i thjeshtë. Askush nuk e njihte e nuk dinte asgjë për të para kësaj ndodhie, përveç shokëve dhe të afërmve të tij. Ai ishte baba i një fëmije të vogël, i cili nuk e di se ç’është vdekja dhe me siguri që me pafajësinë e tij prej fëmije, fajëson babain pse është vonuar kaq shumë për të ardhur në shtëpi. Ai ishte një puntor i thjeshtë, i cili me një rrogë të thjeshtë, mbante familjen e tij, në të cilën ishte i vetmi që punonte. Me siguri që familja e tij do ta ndjejnë mungesën e tij, jo vetëm për dashurinë ndaj tij, por do ta ndjejnë edhe sepse jetesa e tyre do të veshtirësohet shumë, për shkak të mungesës së të ardhurave. Djali i tij i vogël, përveç mungesës së babait, pafajësisht do të ndjejë mungesën e çokollatave dhe dhuratave që ai i sillte. Me të vërtetë që humbja e tij, është një pikëllim për familjen e për të gjithë popullin, por ky pikëllim ka një mesazh të fortë brenda tij.
“Shqipëria ka njerëz si Arjani dhe kjo do të thotë që Shqipëria ka shpresë”.
Personalisht, me lot në sy u ndjeva mirë që Shqipëria ka njerëz si Arjani.
Tek Arjani, i gjithë populli shqiptar pa një shpresë të humbur brenda tij. Ai pa, që brenda këtij populli ka edhe njerëz si Arjani, heronj, që janë njerëz të mirë, punojnë mirë dhe me sinqeritet, ndihmojnë të tjerët dhe në rast rreziku japin edhe jetën, për punën që u është besuar dhe për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Këta njerëz nuk i njeh askush, ata nuk i shfaqen askujt, as nuk dalin në lagje, televizor apo facebook për të treguar karakterin, mirësinë apo veprën e tyre dhe as nuk duan t’ua marrë vesh kush veprën apo karakterin e tyre. Këta janë njerëz që e mbajnë në kurriz amanetin dhe qëndrojne besnik ndaj tij.
E sa i vështirë është amaneti !
Amaneti i të qenurit i mirë, është i tillë që nuk e mbajnë as malet dhe as njerzit në tërësi, por ka disa njerëz që e mbajnë atë me lehtësi dhe askush nuk e di që ata e mbajnë dhe as ata vetë nuk e dinë, sepse ata dinë që po bëjnë vetëm detyrën, pa kërkuar asnjë shpërblim shtesë. Po bëjnë detyrën sepse po i shërbejnë vendit të punës ku janë, por po bëjnë edhe detyrën të caktuar nga Zoti për të shpëtuar jetën e atyre njerëzve që kanë mundësi ta bëjnë kur sprovohen ta bëjnë.
I tillë ishte Arjani, një besimtar i thjeshtë, që habiti me veprën e tij.
Ai i tregoi Shqipërisë që ky popull ka njerëz të tillë që japin edhe jetën për njerëzit e këtij populli !
Veprimi i tij ndezi një dritë shpresë mes zymtësise, që e ka kapluar Shqipërinë!
Ai tregoi se ky popull nuk ka vetëm politikanë përbindësha të babëzitur, të të gjithë krahëve politik, të cilët jetojnë në lluks të shfrenuar dhe shkatërrojnë e shesin gjithë shtetin për përfitimet e tyre.
Ai tregoi se nuk ka vetëm oligarkë që zihen të gllaberojnë të mirat e këtij populli.
Ai tregoi se ky popull nuk ka vetëm trafikantë e mafiozë të lidhur e të stërlidhur me politikanë, që japin jetën për të vjedhur apo për supermacinë e trafiqeve të drogës.
Arjani tregoi se ai është pjesë e këtij populli dhe sigurisht që si Arjani ka edhe Arjanë të tjereë, të cilët luftojnë për të mirën e përbashkët dhe jo për të mirën personale.
Arjani ishte një njeri i thjeshtë që punonte një punë të thjeshtë, me një arsimim të thjeshtë, por një gjë është e sigurt, nëse Arjani do të ishte kryeministër, Shqipëria nuk do lëngonte dhe nuk do ti shkuleshin filizat e rinisë, sepse është e thjeshtë, Arjani do punonte për Shqipërinë dhe këtë jo për t’ia treguar kujt, por thjeshtë se do bënte detyrën.
Lus Zotin që Arjanin ta falë e ta mëshirojë dhe ta pranojë atë në xhenetet e larta !
Gjithashtu lus Zotin që Arjanët e ketij populli të bashkohen dhe ti japin fund babëzisë, vjedhjes dhe shkatërrimit të Shqiperisë !

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re