Në provincën Shanllëurfa (Şanlıurfa) të Turqisë, një nga vendbanimet më të lashta në botë, arkeologët kanë gjetur një lodër pesë mijë vjeçare.
Në provincën Shanllëurfa (Şanlıurfa) të Turqisë, një nga vendbanimet më të lashta në botë, arkeologët kanë gjetur një lodër pesë mijë vjeçare si rezultat i punimeve arkeologjike në Qytetin Antik Sumatar (Sogmatar), për të cilin thuhet se është vendi ku ka jetuar profeti Musa.
Qyteti Antik Sumatar, i cili gjendet në afërsi të qarkut administrativ Ejubije (Eyyubiye) në provincën Shanllëurfa, pranohet si vendi ku ka jetuar profeti Musa, i cili atë kohë kishte ikur nga faraoni.
Punimet arkeologjike në këtë zonë kanë filluar nga Departamenti i Gërmimeve pranë Muzeut të Shanllëurfas, me pjesëmarrje të profesorit të arkeologjisë Jusuf Allbajrak (Yusuf Albayrak), i cili është pjesë e stafit akademik në Universitetin Harran.
Si rezultat i hulumtimeve në shumë varre të gjetura në këtë zonë pas punimeve intensive, është gjetur një qerre kuajsh lodër dhe rrotat që i përkasin qerres, si dhe një zile lodër në formë zogu.
Drejtori i Muzeut të Shanllëurfas, Xhelal Ulluda (Celal Uludağ), vuri theksin mbi rëndësinë e qytetit, duke rikujtuar se në këtë zonë kanë realizuar gjetje me vlerë historike.
“Gjetëm një qerre lodër dhe rrotat e kësaj qerreje. Kjo gjetje i përket Epokës së Bakrit dhe mendohet se janë bërë për fëmijët e mbretërve ose udhëheqësve. Kjo na mundëson ta kuptojmë artin e kësaj epoke, gjegjësisht, për konceptin e lojërave të fëmijëve para pesë mijë viteve”, thotë Ulluda.
Ndërkaq, profesori Jusuf Allbajrak thotë se që nga viti 2012 në këtë zonë kanë realizuar kërkime, duke shtuar se në zonë në të njëjtën kohë kanë gjetur edhe një varrezë. Ai thotë se sipas hulumtimeve, Sumatar dikur ka qenë qendra e paganizmit.
“Ndërkaq, në vitin 2016 në filluam me aktivitetet e pastrimit. Në varre rastisëm mbi një mijë gjetje, të cilat i dorëzuam në muze. Varret janë bërë në fillim të Epokës së Bronztë, domethënë pesë mijë vite më parë”, tha Albayrak, duke shtuar se varret qe kanë zbuluar janë ndryshuar me ardhjen e romakëve sipas arkitekturës së tyre.
“Në vitin 2017, ne morëm leje për gërmime. Punuam për një muaj në maj, ndërsa tani punimet vazhdojnë prej 15 ditësh. Deri më tani kemi hapur 45 varre, ndërsa kemi gjetur tre varre që nuk janë hapur madje as nga romakët. Në një nga këto varre ne gjetëm një qerre kuajsh miniaturë me katër rrota. Këtë e emëruam si lodër fëmijësh. Po ashtu, ne gjetëm edhe një zile në formë zogu”, tha Allbajrak.
Allbajrak theksoi rëndësinë e kësaj gjetjeje, duke shtuar se synojnë të bëjnë edhe zbulime të tjera të rëndësishme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re