Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndodhet përballë një prej krizave më serioze të karrierës së tij politike.
Kongresmeni republikan Thomas Massie, ka rikthyer në Dhomën e Përfaqësuesve rezolutën për shkarkimin e tij, duke paraqitur tetë nene akuzash për shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.
Votimi pritet të zhvillohet brenda kësaj jave, ndërsa pakënaqësia ndaj drejtimit të luftës në Iran po përhapet edhe në radhët e republikanëve.
Dokumenti prej 34 faqesh e akuzon Hegseth për tejkalim të kompetencave të Pentagonit, zhvillim të operacioneve ushtarake pa autorizimin e Kongresit, shkelje të ligjeve për mbrojtjen e civilëve dhe përdorim abuziv të pushtetit.
Tri prej tetë neneve. lidhen drejtpërdrejt me luftën në Iran dhe shkeljen e Rezolutës së Kompetencave të Luftës të vitit 1973. Sipas Massie, administrata ka vazhduar konfliktin pa miratimin e ligjvënësve dhe në kundërshtim me kufizimet kushtetuese për përdorimin e forcës ushtarake.
Një prej akuzave më të rënda, lidhet me bombardimin e një shkolle për vajza në Iran, ku humbën jetën 168 persona. Rezoluta pretendon se Hegseth ka shpërfillur detyrimet ligjore për minimizimin e viktimave civile.
Akuza të tjera, përfshijnë operacionet amerikane kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësorin Lindor, ku, sipas Massie, janë vrarë të paktën 243 persona.
Në dokument përfshihen gjithashtu ndërhyrja për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, operacionet në Jemen dhe përpjekjet për të ndëshkuar senatorin demokrat Mark Kelly, pasi ai u kujtoi ushtarakëve të drejtën për të refuzuar urdhrat e paligjshëm.
“Ne nuk po e akuzojmë për paaftësi në kryerjen e detyrës. Problemi është se ai ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën”, deklaroi Massie, duke nënvizuar se përgjegjësia e Hegseth nuk mund të matet me suksesin ushtarak, por me respektimin e ligjit.
Por përtej betejës kushtetuese, çështja ka një dimension të drejtpërdrejtë politik për Donald Trumpin. Sipas analizës së Stephen Collinson në CNN, presidenti nuk po mbron thjesht një prej anëtarëve të kabinetit të tij, por edhe vendimin për të hyrë në luftë me Iranin.
Hegseth ka qenë një prej mbështetësve më të vendosur të ndërhyrjes ushtarake dhe largimi i tij do të interpretohej si pranim se strategjia e administratës ka dështuar.
Trump e mbrojti publikisht sekretarin të hënën, duke pretenduar se ai kishte fituar luftën në Venezuelë dhe se po fitonte edhe atë në Iran. “Çfarë ka bërë Hegseth?”, pyeti presidenti gazetarët, përpara se të deklaronte se ai kishte qenë në krye të një operacioni të suksesshëm.
Megjithatë, pretendimi se SHBA-të kanë fituar strategjikisht luftën në Iran mbetet i diskutueshëm. Regjimi iranian ka mbijetuar, konflikti ka kushtuar dhjetëra miliarda dollarë dhe ka tensionuar marrëdhëniet me aleatët amerikanë në Gjirin Persik, ndërsa ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe kostos së jetesës.
Trump ka deklaruar se nuk do të ndryshonte asgjë në mënyrën se si është zhvilluar konflikti. Nga ana e tij, Hegseth është shprehur i gatshëm të mbrojë suksesin e operacioneve ushtarake. Por pikërisht kjo këmbëngulje mund të bëhet problem politik për Shtëpinë e Bardhë.
Zgjedhjet e mesmandatit sollën humbje të rënda për republikanët, ndërsa lufta në Iran dhe pasojat ekonomike të saj u kthyen në çështje qendrore të pakënaqësisë së votuesve.
Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e ka mbështetur shkarkimin, duke e quajtur Hegseth arkitektin e një lufte të kushtueshme dhe të papërgjegjshme.
Ndërkohë, edhe brenda kampit republikan ka rezerva. Senatori Kevin Cramer deklaroi se nuk mbështet impeachment-in, por la të hapur mundësinë që Trump të vendosë për të ardhmen e sekretarit.
Kryetari i Dhomës, Mike Johnson, e kundërshton nismën. Pavarësisht votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, shkarkimi përfundimtar kërkon dy të tretat e votave në Senat, një prag që aktualisht duket i vështirë për t’u arritur.
Megjithatë, Massie paralajmëron se Hegseth mund të mos qëndrojë në detyrë deri në fund të vitit. Me marrjen e kontrollit të Kongresit nga demokratët në janar, priten hetime dhe seanca dëgjimore për drejtimin e Pentagonit.
Kështu, rreziku më i madh për Hegseth mund të mos vijë nga vetë votimi i impeachment-it, por nga momenti kur Trump të vendosë se largimi i tij është mënyra më e mirë për t’u distancuar nga lufta në Iran.
Presidenti e mbron sot sepse largimi do të nënkuptonte pranimin e përgjegjësisë për një strategji të kontestuar.
Por nëse konflikti vazhdon të rëndojë presidencën, i njëjti Hegseth që sot konsiderohet i pazëvendësueshëm, mund të kthehet në një barrë politike nga e cila Trump do të synojë të çlirohet. \\