Arkivat Shqiptare sjellin në kujtesë një personalitet kosovar, më saktë gjakovar, Rexhep Krasniqin, që siç shkruhet, u rrit nën tutelën e Bajram Currit.

Po cila qe jeta e tij dhe ç’gjurmë ka lënë në historinë kombëtare?

Në një përshkrim të shkurtër për të, thuhet:

Si sot, më datë 13 shkurt të vitit 2000, u shua Rexhep Krasniqi, funksionar shtetëror në poste kyçe, si edhe militues i respektimit të të drejtave të shqiptarëve në tribunën ndërkombëtare.

U lind në Gjakovë më 24 prill 1906, në një familje me origjinë nga Margegajt. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje dhe në Shkodër. Nën influencën e kujdestarit të tij, arrin të fitojë një bursë studimesh në Austri, ku krahas gjimnazit përfundoi edhe edukimin akademik.

Pas kthimit në Shqipëri, ka marrë në ngarkim angazhime lidhur me zhvillimin e arsimit në vend. Duke filluar nga viti 1935, ka punuar si mësues i historisë dhe i gjeografisë, është emëruar në krye të Drejtorisë së Arsimit në Ministrinë përkatëse, ndërsa më pas i është besuar posti i ‘Komisarit të Naltë të Shkollave Shqipe në Tokat e Lirueme’.

Në shtator të 1943-shit, u caktua si nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në kabinetin e pastajmë të Rexhep Mitrovicës, mori postin e ministrit të Arsimit.

Nga fundi i vitit 1944, largohet në mërgim, periudhë që mbahet mend për riorganizimin e Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, që do ta udhëhiqte gjer më 1992-shin.

Në vitin 1994 u dekorua me titullin ‘Naim Frashëri’ të klasit të parë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re