Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus të moderuar nga Pranvera Borakaj është shprehur skeptik për sa i përket Reformës Zgjedhore. Në gjykimin e tij, palët të cilat “do të gatuajnë” këtë reformë, do ta bëjnë më keq. Pavarësisht kësaj, Qori shprehet i gatshëm që partia e cila përfaqëson, të hyjë në zgjedhje me të gjitha rregullat e mundshme.

Qori: Lëvizja Bashkë është një parti me potenciale të mëdha. Mund të mos marrim asnjë votë në zgjedhjet e ardhshme, por mund të kemi dhe një rezultat befasues. Ndikimi ynë në atë komision është zero sepse nuk jemi të pranishëm dhe nuk besoj se ata që do të gatuajnë Reformën Zgjedhore do të kërkojnë mendimin tonë. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje me të gjitha rregullat e mundshme. E di që do të jenë diskriminuese sepse ata i bëjnë rregullat për interesat e tyre. Mendoj që më mirë nuk kanë për ta bërë, frika ime është që do ta bëjnë më keq.

Pranvera Borakaj: Cili do të ishte versioni më i keq?

Qori: E keqja nuk ka fund. Të imagjinosh të keqen na lë gjatë këtu. Frika ime është që do ta bëjnë më keq, uroj ta kem gabim. Me të gjitha rregullat e mundshme do të jemi aty, siç ishim në garën e bashkisë së Tiranës edhe pse nuk na pëlqyen shumë rregullat.

Ndërsa kryetari i Nisma Thurrje, Endri Shabani, i ftuar në studio, tha se sistemi zgjedhor duhet të ndryshojë me patjetër pasi nuk garanton ndarjen e tre pushteteve.

Pranvera Borakaj: Zoti Shabani, për ju kur diskutohet për Reformë Zgjedhore jeni më optimist se do të bëhet më e mira apo do të thellohet më e keqja?

Shabani: Shqetësimi im dhe i kolegëve të mi në politikë nuk është si të zgjidhim hallin tonë, por të kemi në sistem zgjedhor që është më i drejtë për shqiptarët. Sistemi zgjedhor që kemi është modifikuar nga dy aktorë në lojë për të penguar rrotacionin politik. Ky është problemi që ne kemi. Këto probleme shpesh është e vështirë të adresohen nga ata që janë burimi i problemit. Këto janë çështje që duhen vendosur në referendum. Kur sistemi zgjedhor trajtohet si monopol, kur këto bëjnë marrëveshje, pazare me dyer të mbylluram pastaj dalin në publik dhe na paraqesin diçka, gjithsecili do mbrojnë interesat e veta. Ky sistem duhet të ndryshojë sepse deformon vullnetin e zgjedhësve. Listat duke mos u hapur plotësisht krijojnë disiplinë të fortë partiake. Ai duke kontrolluar partinë e vet e shtrin kontrollin mbi parlamentin. Në këtë pikë nuk krijohen premisat për ndarjen e tre pushteteve. Na duhet një sistem zgjedhor që garanton ndarjen e tre pushteteve. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re