Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Karen Donfried thotë se armatimet që Shtete e Bashkuara dhe shumë vende të tjera po i ofrojnë në vijimësi Ukrainës synojnë që t’i sigurojnë asaj, një pozitë sa më të mirë për të mbrojtur veten dhe territorin e saj Sovran nga agresioni i Rusisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zonjë Donfried, ndërsa flet për shtrirjen e pasojave të luftës dhe në Ballkan, shprehet se se SHBA dhe Bashkimi europian nuk po përpiqen t’ë imponojnë një zgjidhje për situatën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por për t’i ndihmuar këto dy vende që të marrin vendime të cilat janë dhe të vështira
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, çfarë ka mësuar bota ndërkohë që po i afrohemi përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës?
Karen Donfried: Është e dhimbshme të mendosh se jemi, më pak se një muaj larg një vjetorit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe do të theksoja tre mësime të nxjerra.
Së pari, ne kemi mësuar shumë për Ukrainën dhe mendoj se të gjithë jemi frymëzuar nga guximi dhe qëndresa e ukrainasve, teksa ata i rezistojnë këtij pushtimi të paprovokuar dhe brutal nga Rusia. Ata na kanë frymëzuar të gjithëve.
Së dyti, kemi mësuar më shumë për Rusinë dhe i kemi parë lojërat e Rusisë më parë në Gjeorgji, në Ukrainë në vitin 2014. Por të shohësh se çfarë po i bën Rusia fqinjit të saj, jo vetëm në fushën e betejës, por me këto bombardime kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, infrastrukturës energjetike duke u përpjekur të zhysë një vend prej 44 milionë banorësh në errësirë dhe dimër të ftohtë dhe të hidhur, është thjesht një tmerr i papërshkrueshëm.
Dhe gjëja e tretë që kemi mësuar është për veten dhe për unitetin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërsa përballemi me këtë sfidë. Dhe mendoj se kjo është gjithashtu dallimi i kësaj reje shumë të errët që ne amerikanët, shqiptarët, anëtarët e tjerë të NATO-s, BE-ja, Japonia, Koreja e Jugut, dhe vende të tjera me radhë, janë ngritur dhe kanë thënë, kjo është gabim. Dhe ne do të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit brutal të Rusisë.
Zëri i Amerikës: A e ktheu ky pushtim botën në epokën e Luftës së Ftohtë?
Karen Donfried: Kjo nuk është Lufta e Ftohtë. Nuk është një konkurrencë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Presidenti Biden ka qenë i qartë për këtë dhe gjithashtu kur është shprehur se kjo nuk është një garë apo luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Mendoj se duhet të jemi shumë të qartë për atë që ndodhi në Ukrainë.
Më 24 shkurt, Putini mori një vendim për të nisur një pushtim në shkallë të gjerë të fqinjit të tij më të dobët sovran dhe u përpoq të pushtonte të gjithë vendin. Për shkak të trimërisë së ukrainasve dhe përdorimit shumë efektiv të armëve, prej tyre, që shumë prej nesh iu siguruam, ata ishin në gjendje t’i bënin ballë atij agresioni rus, ta sprapsnin Rusinë dhe ne kemi parë që luftimet tani përqendrohen në juglindje të vendit.
Por në të vërtetë, kjo luftë ka të bëjë me mbrojtjen e ekzistencës nga Ukraina dhe ne të tjerët që mbështesim Ukrainën në këtë kauzë dhe mbrojmë vlerat tek të cilat besojmë, vlerat që mishërohen në Kartën e OKB-së për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Një njeri e filloi këtë luftë dhe ai njeri, Vladimir Putini, mund të vendosë t’i japë fund nesër. Por le të kujtojmë, nëse Rusia pushon së luftuari, lufta përfundon. Dhe kjo është diçka që shefi im, Sekretari Blinken e thotë shpesh. Nëse Ukraina pushon së luftuari, Ukraina përfundon së ekzistuari.
Zëri i Amerikës: Pothuajse të gjitha luftërat përfundojnë me negociata. A mendoni se negociatat janë një mundësi në këtë moment? Apo në cilin moment duhet të jenë?
Karen Donfried: Unë do të argumentoja se, nuk ka asnjë vend në botë që është më i interesuar për paqen në Ukrainë sesa vetë Ukraina. Dhe ne kemi parë presidentin ukrainas Zelenskyy që ka paraqitur një plan paqeje.
Nga ana tjetër, ajo që kemi dëgjuar nga presidenti Putin është se ai mund të jetë i interesuar për negociata, pasi Ukraina të njohë realitetet territoriale. Nuk kemi asnjë tregues se presidenti Putin është i interesuar për negociata, në mirëbesim.
Presidenti Zelenskyy flet me shumë elokuencë për nevojën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Ajo që ne kemi thënë është se nuk ka asnjë negociatë pa Ukrainën.
Pra, ne ndajmë dëshirën e Ukrainës për atë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe po përpiqemi të sigurojmë, nëpërmjet ndihmës sonë të sigurisë, që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm kur të arrijmë në atë tryezë bisedimesh.
Zëri i Amerikës: Zyrtarët ukrainas thonë se janë shumë mirënjohës për zhvillimet e reja në lidhje me tanket gjermane dhe amerikane që do t’i dorëzohen Ukrainës. Ata vlerësojnë se për një operacion të rëndësishëm sulmues, atyre u duhen mbi 200 tanke. A janë SHBA dhe partnerët e saj në gjendje t’i japin Ukrainës këtë numër tankesh? Dhe kur do mund të jenë atje, në terren?
Karen Donfried: Faleminderit për këtë pyetje. Mendoj se nënvizon faktin se janë kaq shumë vende që po ndihmojnë Ukrainën të mbrohet e tani kemi dhe njoftimin nga Gjermania për tanket Leopard. Kjo është shumë e rëndësishme sepse në vend që të dëgjojmë nga Moska interes për negociatat e paqes, kemi dëgjuar se Rusia po planifikon një ofensivë të re.
Ka një përpjekje, mes 50 vendeve të paktën, për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet dhe ajo që kemi parë gjatë vitit të kaluar është se si ndihma e sigurisë ka ndryshuar për të ndihmuar Ukrainën të përballojë sfidat përpara saj. Kështu, kur patë që në vjeshtë Rusia nisi ato bombardime kundër infrastrukturës civile, ne u përpoqëm të shtojmë furnizimet tona të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Unë gjithashtu mendoj se ka një angazhim afatgjatë ndaj Ukrainës në drejtim të ndihmës për sigurinë. Vendimi i SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës raketa Patriot në dhjetor është një tregues i kësaj, sepse kur mendojmë për atë paqe të qëndrueshme në Ukrainë, ne duam gjithashtu të sigurojmë që Ukraina të ketë aftësinë për të mbrojtur veten me kalimin e kohës.
Kështu që unë mendoj se harku i ndihmës për sigurinë është vërtet i rëndësishëm sepse tregon se si po ndryshon lufta. Dhe do të vazhdoni të shihni se ka pasur një përpjekje reale për të çuar pajisje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ka qenë e vërtetë gjatë gjithë vitit të kaluar dhe është e vërtetë dhe tani, pasi Rusia po planifikon ofensivën e radhës. Kështu që mendoj se ju keni parë një angazhim të qëndrueshëm gjatë vitit të kaluar dhe ai do të vazhdojë.
Zëri i Amerikës: Kievi thotë se ka përparim në bisedat në lidhje me furnizimin e avionëve F-16 në Ukrainë. A mund të konfirmoni se SHBA po e vlerëson këtë mundësi?
Karen Donfried: Sikurse e përmenda, Ukraina është furnizuar me armatime që i përshtaten situatës aktuale në fushën e betejës. Në fillim të konfliktit dërguam shumë sisteme antitank Javelin dhe armatime të tjera. Kjo pa dyshim ka evoluar me kalimin e kohës. Ndaj vëmendja tani është përqendruar tek armatimet e rënda, tanket e lehta, artileria dhe municionet.
Po të shikosh me vëmendje, armatimet e premtuara në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës që u zhvillua para një jave, (në bazën ajrore Ramstein në Gjermani) këto donacione janë një pasqyrë e qartë e armatimeve që Ukraina u ka kërkuar vendeve partnere, për të ndihmuar që Ukraina të jetë e përgatitur më së miri për këtë kapitull në fushën e betejës.
Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar se me ardhjen e pranverës, Rusia do të intensifikojë fushatën e saj ushtarake?
Karen Donfried: Po. Jam e shqetësuar lidhur me këtë dhe bazuar në atë që ka thënë Rusia, ne parashikojmë një ofensivë ruse. Kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me atë se pse e kemi përqendruar vëmendjen që Ukraina të ketë sa më parë të jetë e mundur në fushën e betejës këto armatime që ne po i dërgojmë tani. Ne duam të sigurohemi që Ukraina të jetë në pozitë sa më të mirë për të mbrojtur veten dhe territorin e saj sovran.
Pra kjo përbën shqetësim dhe mendoj se do të ndodhë. Gjatë vitit të kaluar u pa se Ukraina i përdori me efektshmëri të lartë armatimet që i kemi ofruar. Siç dihet po vazhdon trajnimi (i trupave ukrainase). Pra, përveç furnizimit të Kievit me armë po trajnojmë edhe ushtarët ukrainas dhe ky kombinim po jep një rezultat të paçmuar. Shto këtu trimërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve.
I them Rusisë, kujdes. Ky është një vend që po lufton për të mbrojtur ekzistencën e tij. Morali që ekziston mes çdo ushtari dhe popullit ukrainas në tërësi përbën një forcë të madhe që nuk mendoj se Rusia e ka llogaritur mirë.
Zëri i Amerikës: Pushtimi rus i Ukrainës është në krye të prioriteteve të SHBA-së që prej nje viti tanimë, por ka konflikte të tjera që kërkojnë vëmendjen amerikane, si marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Me dëshirën për të mos patur nëpër këmbë konflikte të tjera, a po ushtrojnë SHtetet e Bashkuara, një trysni shumë të madhe duke u përpjekur të “imponojnë” një zgjidhje Kosovë-Serbi?
Karen Donfried: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka efekte edhe në Ballkanin Perëndimor edhe në Shqipëri dhe këto janë të lidhura. Një mësim nga kjo luftë, do të thosha unë, është ndjenja e urgjencës. Ndonjëherë mendojmë se koha është në anën tonë dhe mund të ketë vendime të vështira që ne duhet të marrim, por nuk duam t’i marrim sot, dhe i lëmë për nesër. Në disa raste ndodhin gjëra që ne nuk i kemi para shikuar.
Nëse do të isha pyetur përpara se të merrja këtë detyrë, se a mendoja se Rusia do të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në Ukrainë, përgjigja ime do të ishte jo, nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Do të kisha gabuar. Ndaj është e vështirë të parashikosh të ardhmen.
Ndaj për vendet e Ballkanit Perëndimor tani ekziston mundësia për të ecur përpara në rrugën e integrimit Euro-Atlantik. Kjo mundësi është aty për Serbinë dhe Kosovën. Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira.
Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit të Euro-Atlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit Euro-Atlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër.
Ne e dimë që edhe Shqipëria do të jetë aty për t’i ndihmuar këto vende të marrin këto vendime të vështira. Por ne nuk mund t’ua imponojmë atyre. Ato duhet të duan atë të ardhme dhe të jenë të gatshme të marrin vendimet, që mund të duken të dhimbshme, nëse ajo është e ardhmja që duan. Po e përsëris, ne do të jemi përkrah tyre, por ne vetëm mund të ndihmojmë dhe të përpiqemi ta sigurojmë atë të ardhme. Kosova dhe Serbia janë ato që duhet të bëjnë punën e vështirë. VOA/