Home SHQIPERIA Armë në protestat e Shkupit/ Lideri i opozitës: Donin të më vrisnin

Armë në protestat e Shkupit/ Lideri i opozitës: Donin të më vrisnin

0
Armë në protestat e Shkupit/ Lideri i opozitës: Donin të më vrisnin

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Mijëra qytetarë janë mbledhur të mërkurën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në ditën e pestë të protestave kundër propozimit francez, përmes të cilit synohet të tejkalohen disa mospajtime mes Shkupit dhe Sofjes, që do t’i hapnin rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë protestave, një person ka gjuajtur me armë zjarri në ajër.

Kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, i cili ka marrë pjesë në protestë, ka pretenduar se personi në fjalë ka dashur ta vrasë.

Ai ka publikuar një fotografi në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se “ky është personi që ka dashur të më vrasë sonte”.

“Kërkoj që urgjentisht të ndalohet nga Spasovski [ministri i Brendshëm] dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, ka shkruar Mickovski, por pa ofruar ndonjë provë për pretendimet e tij.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se ka arrestuar personin, për të cilin kryetari i opozitës ka thënë se ka tentuar ta vrasë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Partitë në pushtet kanë akuzuar Mickovskin për skenar të prishjes së raporteve ndëretnike.

Protestat kundër propozimit francez mbështeten nga opozita maqedonase.

 

Nën brohoritjet “Nëse miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”, pankarta e vendosur nga protestuesit para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është djegur nga vetë ata.

Protestuesit nën moton “Ultimatum. Jo, faleminderit” kanë kërkuar që Qeveria të hedhë poshtë propozimin francez, duke brohoritur “Dorëheqje” dhe “Ikni tradhtarë”.

Protestuesit, të cilët janë nisur nga objekti i ekzekutivit në Shkup, kanë kaluar përmes Sheshit Skënderbe dhe janë ndalur para Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku kanë gjuajtur gjësende të forta, si dhe kanë brohoritur shprehje nacionaliste ndaj shqiptarëve.

Në gjithë Shkupin është vërejtur prani e shtuar e forcave speciale, veçanërisht para institucioneve shtetërore.

 

Deri tani janë ndaluar 11 persona, dy prej të cilëve janë të mitur.

Policia maqedonase ka bërë të ditur se po vazhdon identifikimi i personave të tjerë, të cilët kanë qenë të përfshirë në demolimin e institucioneve të shtetit dhe kanë sulmuar policët.

Aktet e dhunshme i kanë dënuar presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

Partitë maqedonase në opozitë, VMRO DOMNE dhe Majta, kanë dalë kundër propozimit francez, pasi, siç thonë ato, “nëse i njëjti nuk pëson ndryshime, rrezikohet gjuha dhe identiteti maqedonas”.

Partia e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe të gjitha partitë shqiptare në këtë vend, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe Alenca për Shqiptarët, mbrojnë qëndrimin se ky propozim garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, si dhe zhbllokon procesin./ R.E.L

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë