Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan tha se me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev janë dakorduar për restaurimin e linjave të hekurudhës mes dy vendeve.

Pas takimit trepalësh me Aliyevin dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, kryeministri armen Pashinyan në një deklaratë përmes Facebook-ut tha se me presidentin azerbajxhanas janë dakorduar për vazhdimin e kontakteve.

“Me presidentin e Azerbajxhanit konfirmuam marrëveshjen për restaurimin e rrugës së transportit hekurudhor. Hekurudha do të funksionojë nën sovranitetin dhe juridiksionin e vendeve, në bazë të reciprocitetit dhe në përputhje me rregulloret kufitare dhe doganore të pranuara ndërkombëtarisht. Armenia me rrugën hekurudhore do të mund të ketë qasje në Iran dhe Rusi”, tha Pashinyan.

Në një deklaratë që Këshilli Evropian bëri dje pas takimit trepalësh në emër të Charles Michel thuhet: “U arrit dakordim mbi bazën e parimit të reciprocitetit për të ecur përpara përmes rrugës për kryerjen e restaurimit të linjave hekurudhore duke bërë rregulloret e përshtatshme për kontrollet kufitare dhe doganore”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re