Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se Armenia duhet të pranojë dorën e zgjatur të paqes nga Azerbajxhani dhe Turqia dhe të mos e shpërdorojë këtë mundësi.

Në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, Akar tha se ai pret që bisedimet midis Azerbajxhanit, Armenisë, Turqisë, Gjeorgjisë, Rusisë dhe Iranit do të ndihmojnë në sigurimin e një “mjedisi të qëndrueshëm” në rajon.

Ai tha se Turqia është e kënaqur të shohë se “armëpushimi është mbajtur, shkeljet janë ulur ndjeshëm dhe janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt stabilitetit”.

“Ka konflikte dhe telashe në shumë pjesë të botës, por vendet ku njerëzit janë mbledhur për bisedime dhe për të gjetur zgjidhje politike tani janë shumë më të sigurta dhe më të begata”, tha Akar, duke shtuar:

“Nëse Armenia e kupton këtë, jep kontributet e nevojshme dhe përgjigjet pozitivisht, mund të bëhet përparim serioz si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë të mirëqenies”.

Në lidhje me korridorin Zangezur, i cili lidh Azerbajxhanin me enklavën e tij Nakhchivan, Akar tha se nisma “nuk dëmton askënd” dhe duhet të mbështetet.

Akar tha se Deklarata e Shushas e nënshkruar midis Turqisë dhe Azerbajxhanit këtë qershor është dëshmi e vizionit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologut të tij azerbejxhanas Ilham Aliyev.

Pasi Azerbajxhani çliroi territorin e tij nga forcat armene, “ka filluar një luftë e re, një luftë ekonomike”, tha ministri turk i Mbrojtjes.

“Kjo është një luftë për të siguruar që njerëzit të kthehen në tokat e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha ai.

“Forcat e Armatosura Turke po punojnë ditë e natë me vëllezërit tanë azerbajxhanas për të eliminuar të gjitha llojet e kërcënimeve dhe rreziqeve nga zonat e çliruara, veçanërisht eksplozivët dhe minat që kërcënojnë jetën e njerëzve të pafajshëm”, theksoi Akar.

Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit, Zakir Hasanov, tha se ushtria e vendit të tij kishte përfituar shumë nga përvoja e punës me forcat turke dhe “do të vazhdojë ta bëjë këtë”.

“Ne po e ristrukturojmë ushtrinë tonë në përputhje me modelin turk”, tha Hasanov në konferencën për media, duke shtuar se Azerbajxhani po përdor mjete ajrore pa pilot të prodhimit turk, artileri, raketa dhe pajisje të tjera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re