Skip to content

Armenia pas 6 vitesh liron dy azerbajxhanas nga burgu

Disa të burgosur azerbajxhanas, duke përfshirë dy të cilët ishin mbajtur nga Armenia për disa vjet, u lanë të lirë si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish.

Sipas Shërbimit azerbajxhanas të Sigurimit të Shtetit, shkëmbimi i të burgosurve dhe pengjeve ka filluar në pajtim me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia të nënshkruar më 10 nëntor midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. 

Të burgosurit dhe pengjet azerbajxhanas u sollën në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Dilgam Asgarov dhe Shahbaz Guliyev, të cilët ishin zënë rob nga Armenia për gjashtë vjet, ishin midis të liruarve.

Në vitin 2014, Asgarov dhe Guliyev së bashku me Hasan Hasanov udhëtuan në rajonin Kalbajar, i cili ishte nën okupimin armen në atë kohë, për të parë fshatin e tyre ku ata ishin lindur dhe rritur dhe për të vizituar varret e të afërmve të tyre.

Pasi u vunë re nga ushtarët armenë, Hasanov u vra dhe Asgarov dhe Guliyev u morën peng.

Kufoma e Hasanov u kthye në Azerbajxhan pas tre muajsh, ndërsa Asgarov u dënua me burg të përjetshëm dhe Guliyev me 22 vjet.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike të Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone fqinje.

Përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe përfunduan me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia gjashtë javë më vonë.

Azerbajxhani çliroi disa qytete strategjike dhe thuajse 300 vendbanime dhe fshatra të tij nga pushtimi armen gjatë kësaj kohe.

Para kësaj, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për gati tre dekada.