Policia ende nuk ka arritur të gjejë dhe të arrestojë biznesmenin Idlir Karkini, i cili dyshohet se arriti të tjetërsojë pronat e forcave të armatosura në plazhin e Spillesë dhe ti regjistrojë në emrin e tij.
 
Burime pranë policisë thanë se biznesmeni 50 vjeçar nga Kavaja, por me banim në Tiranë është larguar nga vendi 10 ditë para lëshimit të urdhërarrestit, ndërsa ka dalë nga Aeroporti i Rinasit.
 
Emri i biznesmenit nuk është i panjohur pasi ne vitin 2011 Karkini fitoi tenderin për vënien në punë dhe mirëmbajtjen e sistemeve të radarëve për sigurinë detare,  por edhe për mirëmbajtjen e rrjetit të dixhitalizimit në Radio Televizionin Shqiptar.
 
Pjesë e skemës së tjetërsimit e më pas regjistrimit të pronave ishte dhe noteri Julian Zhelegu për të cilin gjykata vendosi masën e sigurisë arrest në shtëpi ndonëse për të prokuroria kërkoi arrest me burg.
 
Zyra në emër të Zhelegut ndodhet në zonën e ish bllokut ndërsa firma e tij ka shërbyer në dhjetëra shitblerje apo privatizime. Prokuroria  ngriti dy akuza për 44 vjecarin, atë të falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës. Vizion Plus tentoi të kontaktonte me noterin por ai nuk pranoi të prononcohet për rastin.
 
Sipas prokurorisë 44 vjecari rezulton si i përfshirë në një skemë kontrabandimi mallrash në kohën kur mbante pozicionin e doganierit në Doganën e Durrësit.
 
Në vitin 2002 ai u akuzua për trafikim të mallrave por në atë kohë u hetua në gjendje të lirë.
 
Nje ditë më parë, prokuroria njoftoi arrestimin e 5 personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve për tjetërsimin e rreth 11 mijë metrave katrorë tokë në plazh, përmes falsifikimit të dokumenteve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re