Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin Marjus Musaku, i cili akuzohet për pengmarrje dhe abuzim seksual.
Në seancën e zhvilluar këtë të premte, i pandehuri mohoi akuzat e ngritura nga prokuroria.
Ai tha para togave të zeza se me 30-vjeçaren, Ersida Dyrmishi ka qenë në një lidhje dashurie dhe nuk e ka marrë me forcë në banesën e tij.
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve, gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës për ta lënë në qeli të riun.
Marjus Musaku u prangos pas një kallëzimi të bërë nga Ersida Dyrmishi dhe bashkëshorti i saj.
Sipas denoncimit, i akuzuari e kishte marrë peng me forcë për disa ditë nënën e dy fëmijëve dhe përmes kërcënimit me thikë, ai e kishte përdhunuar.