Gjykata dha sot masën e sigurimit “arrest me burg” për sanitaren e spitalit Covid-2 Tire Alldervishi me akuzën e mashtrimit për shkak se dyshohet se i mori 800 000 lekë vajzës së një gruaje të shtruar me qëllim ofrimin e një shërbimi më të mirë.

Pacientja ndërroi jetë pas 28 ditësh në spital, ndërsa vajza zbuloi më pas se ishte mashtruar nga gruaja që iu hoq si infermiere dhe që kishte thënë vazhdimisht që i kishte shërbyer nënës.

Por, pavarësisht se dha masën e sigurisë mbi akuzën e mashtrimit, gjyqtarja Rexhina Merlika duket se nuk është e kënaqur me klasifikimin e veprës penale nga prokuroria duke sugjeruar një vepër penale më të rëndë, siç është mashtrimi me pasoja të rënda.

Sipas gjyqtares Merlika, situata e krijuar me sanitaren, në një kohë kur të gjithë qytetarët janë të trembur nga koronavirusi dhe shfrytëzimi i kësaj frike për të zhvatur para duhet parë në kuadër të rrethanave të reja nga prokuroria.

Më tej ajo theksoi se duhet hetuar për të zbuluar nëse sanitarja ka vepruar vetëm apo në bashkëpunim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re