Skip to content

Arrest për aksident në gjendje të dehur në Lushnjë, zbulohen edhe dy raste të tjera penale në Fier

Policia e Fierit ka ndërmarrë disa veprime ligjore pas tre ngjarjeve të ndodhura në territorin e saj:

Aksident në Gramsh, një i arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. V., 30 vjeç, banues në Lushnjë. Në fshatin Gramsh, ky shtetas ka shkaktuar një aksident rrugor, duke u përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi Xh. B., ndërsa ishte në gjendje të dehur. Si pasojë, janë dëmtuar lehtë drejtuesi i motomjetit dhe pasagjerja e tij, shtetasja V. B.

Procedim penal për zjarrvënie në tokë bujqësore
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasin I. K., 67 vjeç, banues në fshatin Grecalli. Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij, duke shkaktuar dëme në një sipërfaqe toke dhe 30 rrënjë ulliri.

Shpallet në kërkim i riu që dhunoi dy shtetas dhe dëmtoi një automjet
Po ashtu, është shpallur në kërkim shtetasi M. B., 25 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasit E. Ll., 28 vjeç dhe Y. R., 18 vjeçe, si dhe iu ka dëmtuar automjetin. Policia është në kërkim të autorit për kapjen dhe ndalimin e tij.

Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.