Autoritetet gjermane thanë të enjten se ka të ngjarë të bëhen më shumë arrestime lidhur me komplotin e dyshuar të së djathtës ekstreme për të sulmuar parlamentin gjerman dhe për të marrë pushtetin. Policia arrestoi 25 persona të mërkurën në të gjithë vendin. Korrespondenti i. Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton. Tre mijë oficerë policie bastisën ndërtesa në të gjithë Gjermaninë në orët e para të së mërkurës. Autoritetet thanë të enjten se kishin identifikuar mbi 50 të dyshuar. Ata dyshohet se janë anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë “Reichsbuerger”, të akuzuar për komplot për të rrëzuar qeverinë. Policia gjeti pushkë, municione dhe jelekë mbrojtës – së bashku me planet për të rekrutuar ushtarë dhe oficerë policie.

 

“Vetëm një hetim i mëtejshëm do të na japë një pamje të qartë se sa të avancuara ishin planet për grusht shteti. Militantët ‘Reichsbuerger’ janë të bashkuar nga urrejtja për demokracinë, për shtetin tonë dhe për njerëzit që mbështesin komunitetin tonë”, tha ministrja e. brendshme gjermane Nancy Faeser. Kreu i dyshuar i rrjetit e quan veten Princi Heinrich – një pasardhës i ish-shtëpisë mbretërore Rois. Familja dikur sundonte pjesë të Gjermanisë lindore përpara se monarkia të rrëzohej një shekull më parë. Policia po kontrollon një shtëpi gjuetie që i përket Heinrich-it në Gjermaninë lindore. Prokurorët thonë se 71-vjeçari kontaktoi zyrtarët rusë për të kërkuar ndihmë. Nuk kishte asnjë provë për një përgjigje pozitive – dhe Moska e ka mohuar përfshirjen.

 

 

Policia arrestoi gjithashtu një ish-deputete të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë ose AfD, e cila aktualisht shërben si gjyqtare. Gjithashtu u ndalua një ushtar që shërbente në Komandën e Forcave Speciale dhe disa rezervistë, si edhe ka pasur arrestime në Austri dhe Itali. “Të arrestuarit janë ndjekës të teorive të konspiracionit që përfshijnë pikëpamje të ndryshme të ideologjisë Reichsbuerger, si dhe të ideologjisë QAnon”, tha prokurori federal Peter Frank.

 

 

 

Lëvizja QAnon filloi në Shtetet e Bashkuara. Ndjekësit e saj pretendojnë në mënyrë të rreme se bota kontrollohet nga një “shtet paralet” në hije.

 

 

 

Në gusht të vitit 2020, protestuesit – disa të lidhur me lëvizjen QAnon dhe grupin Reichsbuerger – u ngjitën me forcë në shkallët e ndërtesës së parlamentit gjerman pas një marshimi kundër kufizimeve të koronavirusit.

 

 

“Pandemia ushqeu teoritë e konspiracionit të pranishme në këto qarqe ndërkohë që lufta e agresionit rus kundër Ukrainës i fuqizoi këto teori me alternativat e saj politike, të cilat përhapen nga këto qarqe. Dhe jo më pak të rëndësishme, ishin ngjarjet në Kongresit amerikan pas zgjedhjeve të fundit presidenciale të cilat u treguan këtyre njerëzve se ka mundësi për të shkatërruar rendin shtetëror” thotë Alexander Haeusler me Qendrën FORENA për Ekstremizmin e Djathtë.

 

Arrestimet kanë tronditur Gjermaninë.

 

“Ideja për të ndërmarrë një grusht shteti është në universin e tyre, me të vërtetë e mundur. Pra, ne duhet ta shohim këtë si një situatë vërtet të rrezikshme sepse njerëzit dhe aktivistët që e bëjnë këtë janë të armatosur, të përgatitur mirë dhe me njohuri se si t’i përdorin armët” thotë Anke Hoffstadt.

Partia Alternativa për Gjermaninë të mërkurën mohoi përfshirjen në planin e supozuar për të sulmuar Parlamentin.