Subscribe

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arresti për 15 persona pasi rezultojnë të përfshirë në një skemë falsifikimi të testeve COVID, kundrejt pagesave që varionin nga 35 deri në 40 euro.

 

Mes të ndaluarve janë edhe dy mjekë dhe një inxhinier i OSHEE. Hetimi nga organi i akuzës nisi pas kallëzimit të një administratori të një laboratori në kryeqytet.

 

Në padi thuhej se fletë të analizave për testin COVID të falsifikuara dhe me logon e këtij laboratori po përdoreshin për të lëvizur jashtë shtetit nga qytetarët të ndryshëm, kryesisht përmes aeroportit të Rinasit.

 

Prokuroria ka kërkuar ndalimin e mjekut laborant të QSUT Klodian Muharremi, mjeken e një klinike private Marinela Kalaja dhe inxhinierin e OSHEE, Igli Çela. Në listën e urdhër-arresteve janë edhe 12 qytetarë të tjerë.

 

Këta persona kanë bashkëpunuar me organizatorin kryesor, Roland Karrica, që gjente klientë për testet false të COVID-19.

 

Karrica kishte një internet-kafe në zonën e Oxhakut në Tiranë ku edhe kryente falsifikimet.

 

Gjatë kontrollit të dyqanit të tij janë sekuestruar teste të plotësuara si dhe të paplotësuara, me logon e laboratorëve private dhe një USB. Po ashtu është gjetur   një laptop përmes së cilit janë zbuluar se në brendësi të tij ka pasur materiale implikuese për falsifikimin e testeve.

 

Në celularin e të akuzuarit kryesor janë gjetur edhe bisedat e ndryshme me personat e ndaluar për falsifikimet.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re