Ka shkuar në 250 numri  i të arrestuarve nga megaoperacioni antidrogë i koduar me emrin “Tempulli”.

 

Vetëm në qarkun e Tiranës janë kapur 90 persona, anëtarë të 7 grupeve që merreshin me shpërndarjen e kokainës, heroinës dhe kanabisit në zona të ndryshme në kryeqytet. Nga vëzhgimet që oficerë të antidrogës kanë bërë në terren ka rezultuar se pjesa më e madhe e tyre e shpërndanin drogën me taksi dhe motorë për të mos u kapur nga policia.

 

Ndërsa në zonën e Kombinatit, ku u prangosën 22 persona, blerësit shkonin vetë për të marrë dozat e lëndës narkotike.

 

Për shkak të numrit të lartë personave të arrestuar, 30 nga 90 të akuzuarit kanë dalë që këtë të premte para gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

 

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 25 prej tyre, ndërsa për 4 gra, është kërkuar masë me e butë dhe gjithashtu për një person që është mbi 70 vjecc.

 

Megaoperacioni “Tempulli” vijon  dhe policia ka paralajmëruar se në orët në vijim numri i të arrestuarve do të rritet.

 

Ata akuzohen për shpërndarje të llojeve të ndryshme drogash në shkolla e lokale, mes tyre edhe një lloj droge që vinte nga Kanadaja, 5 herë më të fortë se kanabisi i vendit.

 

Gjatë këtij operacioni policia sekuestroi  shuma të mëdha parash, 12 automjete dhe  78 aparate celularë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re