Pse Vladimir Putin po arreston shkencëtarët që i dhanë një armë vdekjeprurëse si raketat hipersonike? Gjatë gjashtë viteve të fundit, të paktën një duzinë ndricues rusë të fizikës së hapësirës ajrore kanë përfunduar në burg.
Në një rast arrestimi u pasua edhe nga një proces gjyqësor, i cili përfundoi me një dënim me 15 vjet burg. Akuza: zbulimi i sekreteve dhenë fuqive të huaja.
Shumë nga shkencëtarët që kanë vazhduar të zhduken në burgje janë të lidhur me zhvillimin e raketave hipersonike si 3M22 Zircon: një “xhevahir” i teknologjisë ushtarake ruse, që sipas drejtuesve të Moskës mund të udhëtojë nëntë herë me shpejtësinë e zërit. Zinxhiri i arrestimeve të shkencëtarëve, i denoncuar nga avokatët e tyre dhe nga OJQ-të që mbrojnë të drejtat e njeriut, sot është rindërtuar në detaje nga një investigim i Wall Street
Raketat hipersonike janë ndoshta i vetmi lloj i armëve ku Putin mund të mburret me lidershipin botëror. Ai i ka përdorur tashmë kundër Ukrainës. Kina gjithashtu ka raketa hipersonike dhe Irani kohët e fundit pretendoi se i kishte ato. Amerika dhe për rrjedhojë NATO janë vonë në zhvillimin e tyre, si dhe në pajisjen e mbrojtjes adekuate kundër këtij lloji të raketave. Shpejtësia e tyre mund t’i lejojë ato të mbulojnë distanca më të mëdha se raketat tradicionale, si dhe të shmangin sistemet e mbrojtjes.
Ndoshta pikërisht për shkak se Putini gëzon një avantazh, ai ka frikë se mos e humbasë atë pas operacioneve të spiunazhit. Ose ndoshta, sipas një interpretimi tjetër, sipas tij është edhe shtypja “parandaluese”, për të penguar ata që posedojnë sekrete dhe që mund t’i zbulojnë ato, nëse kanë pasur ndonjëherë mundësinë ose tundimin.
Shkencëtarët që ndihmuan në zhvillimin e raketave hipersonike dhe më pas përfunduan të arrestuar, shpesh morën pjesë edhe në konferenca ndërkombëtare ose shkëmbime të tjera me kolegë të huaj.
Një konstantim në zinxhirin e arrestimeve duket se është pikërisht kjo: të kesh kontakte ndërkombëtare – ndonëse me miratimin dhe autorizimin origjinal të autoriteteve të Moskës – është bërë e dyshimtë, duke shkaktuar hetime dhe arrestime.
Nuk është e sigurt se Putini ka frikë vetëm nga rrjedhjet e njohurive teknologjike në Perëndim; ka mundësi që edhe Kina të ketë arritur të zhvillojë raketa hipersonike duke vjedhur sekretet ruse (ka ndodhur tashmë në të kaluarën me lloje të tjera armatimi dhe aleanca aktuale Pekin-Moskë nuk përjashton spiunazhin e ndërsjellë).
Zinxhiri i arrestimeve është një goditje për atë që ka mbetur nga bashkëpunimi ndërkombëtar midis shkencëtarëve. Që në vitin 2012, Putin kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi shkencor me vendet perëndimore, pikërisht për të promovuar kërkimet bazë mbi shpejtësinë hipersonike.
Tani, sipas ankesës së një avokati mbrojtës, “shërbimet sekrete ruse kanë urdhër të kërkojnë se cilët shkencëtarë mund të burgosen” për kontaktet e tyre me botën e jashtme.
Gjashtë nga arrestimet ndodhën pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Ato përfshijnë studiues të shkencës aerodinamike në një qendër ekselence, Institutin Khristianovich për Mekanikë Teorike dhe të Aplikuara, që ndodhet në Siberi. I pari në serinë e gjatë të arrestimeve daton në vitin 2018, menjëherë pas një fjalimi të Putinit në Parlament, në të cilin ai njoftoi për herë të parë se kishte raketa hipersonike të afta për të “shpuar” mbrojtjen amerikane, madje ua paraqiti ato deputetëve me një video. Që nga ajo kohë, arrestimet kanë prekur edhe njerëz të moshuar dhe të njohur me prestigj botëror.
Mbeten dy oaze akoma ,ku bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar përfshin rusët: ata janë CERN në Gjenevë dhe stacioni ndërkombëtar hapësinor. Është e qartë se atje nuk është kryer asnjë kërkim apo eksperiment që Putini e konsideron të një rëndësie strategjike për aparatin e tij ushtarak. Të paktën tani për tani.
