Skip to content

Arrestimet në Ministrinë e Shëndetësisë/ Manastirliu: Distancohemi plotësisht, përgjegjësia individuale

Përgjegjësia për korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe jo vetëm në Ministrinë e Shëndetësisë është përgjegjësi individuale dhe jo institucionale. Ky është qëndrimi që ka mbajtur në foltorene e Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për arrestimet me urdhër të SPAK në institucionin që ajo drejton.

 

Joana Duro, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, nën akuzë për korrupsion, sipas Manastirliut duhet të përballet me ligjin, ndërsa institucioni distancohet nga ky rast.

 

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë për këtë rast dhe si institucion distancohemi plotësisht”, tha Manastirliu.  “Cilido që shkel këto parime duhet të përballet me ligjin”, shton ajo duke theksuar se organet e drejtësisë duhet të hetojnë rastin deri në fund dhe të përfshirët të përballen me pasojat e ligjit.

 

Ministrja e Shëndetësisë thekson se raste të tilla nuk mund të baltosin punën e kujtdo që i shërben detyrës në këtë institucion. Manastirliu nënvizon se të tilla raste janë dhe fryt i drejtësisë së pavarur që vërteton se të gjithë janë të barabartë para ligjit falë reformës në drejtësi.