Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për arrestimin e emrit të njohur në botën e krimit, Behar Bajri. Ky i fundit u arrestua në Francë, si pasojë e bashkëpunimit të policisë shqiptare me atë franceze. Ndërkohë, pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

 

Balla shton se forcimi i bashkëpunimit do ta çojë vendin në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

 

“Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion të rëndësishëm jashtë Shqipërisë në bashkëpunim agjenci të tjera ligjzbatuese. Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona për ta goditur krimin dhe se askush nuk do mundet t’i shmanget drejtësisë.

Përgëzoj oficerët e përfshirë në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.

Dua të rishpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive tona ligjzbatuese, me strukturat e vendeve partnere si dhe lufta e përbashkët do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”, shkruan ai.

Behar Bajri u shpall në kërkim nga hetimet e operacionit “Metamorfoza”. Behar Bajri shfaqet në përgjimet e “Metamorfozës”, ku  planifikon që të vrasë Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin. Në përgjimet e zbardhura falë zbërthimit të aplikacionit Sky, shihet se Bajri flet edhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re