Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, përsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve shqiptare që të lenë të lirë kandidatin fitues të zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

 

Diplomati greku tha se nuk e kupton se përse Beleri ndodhet ende në paraburgim, teksa theksoi  se kjo situatë mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 

“Nuk po ushtojmë presion dhe as po bërtasim, duam miqësi, por jo me çdo çmim”, deklaroi  Dendias.

 

Më tej ministri  i Jashtëm grek deklaroi se të hënën do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të ngrejë çështjen e arrestimit të kryebashkiakut të Himarës.

 

“Meqenëse çështja është jashtëzakonisht e rëndë, të hënën në mëngjes do të jem në Bruksel. Aty kemi një drekë me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Çështja duhet të ngrihet në Këshillin e Ministrave. Nuk është e mundur të mos vendoset. Nuk është e zakonshme ndalimi i një kandidati për kryetar bashkie 48 orë para zgjedhjeve dhe mbajtja e tij në paraburgim. Pse mbahet ai? Cili është ky element i rrezikshmërisë së tij që kërkon ndalim të zgjatur? Këto janë pyetje të mëdha.”

 

Dendias paralajmëroi edhe një takim me ministren e Jashtme, Olta Xhaçkën.

 

“Ka shumë mundësi që të takoj personalisht edhe ministren e jashtme shqiptare. Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të thënë disa fjalë.”

 

I pyetur nëse kjo çështje do të ndikojë tek marrëveshja që do nënshkruajnë në Hagë për çështjen e detit, Dendias tha se shpreson që  veprimi i autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë të mos sjellë një ndryshim të qëndrimit politik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re