Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka kërkuar durimin e Athinës zyrtare deri në përfundimin e hetimeve të drejtësisë shqiptare për kandidatin e arrestuar, Fredi Belerin.

 

Në një reagim zyrtar, Xhaçka shprehet se përpara ligjit çdokush është i barabartë dhe figura e askujt nuk duhet trajtuar në mënyrë të veçantë.

 

“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.

 

Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat”, shkruan ajo.

 

Në përgjigje të reagimeve të shumta nga zyrtarë të lartë grek, Xhaçka shkruan se duhen pritur faktet e provat, ndërsa Athina mund të mbajë nën monitorim procesin.

 

“Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, përfundon ajo.

 

Të shumtë ishin zyrtarët grekë që reaguan lidhur me arrestim e Fredi Belerit. Kryeministri grek kërkoi që ai të lirohej duke shtuar se nuk do të lejojë cënimin e komunitetit grek në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re