Grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës, në bashkinë e Tiranës kanë kërkuar një mbledhje urgjente të këshillit bashkiak. Në një deklaratë për mediat, ata thanë se shkresa që ata kanë dërguar për mbledhje ende nuk është proceduar.

Këshilltarët kërkojnë nga kryetari i bashkisë që të japë llogari para qytetarëve për të bërë transparencë me të gjitha fondet që i janë dhënë kompanisë 5D.

Po ashtu ata u bënë thirrje qytetarëve që të enjten të mblidhen para bashkisë së Tiranës në protestën e radhës që do të zhvillojnë.

“Erdhëm këtu për të kërkuar mbledhjen urgjent të këshillit bashkiak të Tiranës, ku kryetari Erion Veliaj ka për detyrë të japë llogari para qytetarëve shqiptarëve. Përpara se të mbledhë organizatën e vetë politike dhe organizatën e drejtorëve të korruptuar, Erion Veliaj duhet të mbledhë këshillin bashkiak sepse kështu ja kërkon ligji. Prej disa muajsh refuzon ta mbledhë”, tha këshilltarja Ilda Zhulali.

“Kemi kërkuar ne një mbledhje urgjente. Cfarë urgjence tjetër ka bashkia e Tiranës që nuk mbledh këshillin e saj bashkiak për një afere kaq të madhe si kjo e 5D, apo inceneratori?! Kërkesa ishte e thjeshtë, mbledhje e këshillit bashkiak për të diskutuar çështjet madhore që prekin qytetarët e Tiranës. Asnjë nga këshilltarët e PS nuk ka bërë një kërkesë të ngjashme”, tha Ilir Alimehmeti.

“Pesë ditë pas depozitimit të kërkesës drejtuar kryetarit të bashkisë Tiranë për mbledhjen urgjente të këshillit bashkiak lidhur me aferat korruptive, të faktuara edhe nga drejtësia për kompaninë 5D, ende sot nuk kemi asnjë përgjigje. Kjo dëshmon tmerrin dhe friken e Erion Velisë nga transparenca. Ne jemi të vendosur që ta detyrojmë kryetarin e bashkisë të bëjë transparencë dhe të japë llogari. Nuk mund të ketë drejtësi për të gjithë këto afera korruptive vetëm duke arrestuar bedelët e Velisë”, u shpreh Tedi Blushi.

“Tirana duhet të dijë të vërtetën, qytetarët e Tiranës duan të dijnë ku kanë shkuar paratë e tyre. Kryetari i bashkisë të vijë dhe të bëjë debatin bashkë me ne mbi transparencën e fondeve publike, të japë shpjegim ku kanë shkuar paratë e 30 mln eurove për 29 tendera, të japë shpjegime pse ai ka firmosur tendera për firmën 5D”, theksoi këshilltari Dorian Teliti.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re