Tirana zyrtare i është përgjigjur deklaratave të palës greke lidhur me arrestimin e kreut të zgjedhur për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri. Në një reagim zyrtar nga Ministria e Jashtme theksohet se të tilla deklarata janë të pavenda dhe injorojnë ligjet e shtetit shqiptar.

 

“Kemi ndjekur me keqardhje deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri. Sic e kemi deklaruar në vijimësi, publikisht por edhe gjatë komunikimeve që kemi pasur me kolegët tanë grekë, deklarata të tilla janë të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri.

 

Qeveria e Shqipërisë as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve”, thuhet në reagim.

 

Në të njëjtën kohë, Tirana zyrtare përsërit qëndrimin e saj, duke thënë se kombësia nuk përbën diferencë në sundimin e ligjit mbi ato që e shkelin atë.

 

“Theksojmë me këtë rast se shtetasi shqiptar me kombësi greke Fredi Beleri është subjekt i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit, struktura të krijuara nga Reforma në Drejtësi, e cila është fryt i bashkëpunimit strategjik me SHBA dhe BE.

 

Qeveria Shqiptare nuk komenton veprimet dhe vendimet e këtyre strukturave. Ky parim vlen në rastin e z. Beleri ashtu si edhe në rastin e çdo qytetari tjetër shqiptar, në Shqipëri aq sa edhe në Greqi apo cilindo vend demokratik në Europë e botë, prandaj e ftojmë Qeverinë e Greqisë të bëjë të njëjtën gjë dhe të presë, ashtu si ne, që drejtësia të bëjë punën e saj”, thuhet në njoftim.

 

Më herët pala greke ka theksuar se mbajtja në burg e Belerit do të ketë pasoja për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE.

 

Fredi Beleri u vu në pranga 48 orë para zgjedhjeve lokale me urdhër të SPAK, duke e akuzuar për blerje votash.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re