Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të  gjyqtares së Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se çdo njeri që është ankuar dhe që ska pasur besim tek institucionet e reja të Drejtësisë, çdo ditë po merr përgjigje.  

Sipas Ballës, institucionet e reja të drejtësisë po funksionojnë dhe po e tregojnë këtë ditë pas dite me rezultate konkrete.

Gjithashtu Balla i ka bërë një  thirrje dhe Bashes e Kryemadhit se mjaft takoheni skutave me ish-gjyqtarë e ish-prokurorë. Nuk ka asnjë shans që ky proces të kthehet mbrapsht.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Kush ankohet apo s’ka ende besim tek institucionet e reja të Drejtësisë, çdo ditë po merr përgjigje. Institucionet e reja të drejtësisë po funksionojnë dhe po e tregojnë këtë ditë pas dite me rezultate konkrete.

Hetimet pro-aktive dhe arrestimet e kryera nga SPAK-u dhe procedimet e kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si për gjyqtarin e Korcës, për gjyqtaren e arrestuar sot dhe për të tjerë në proces, janë vetëm shembujt e parë të përkushtimit për të kryer detyrën, por edhe inkurajim për punë të tjera në vijim, si një proces i rëndësishëm për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Zbatimi me përpikmëri i reformës në drejtësi dhe vetingut, po mundëson një drejtësi të re e të pavarur, e cila nuk do të dijë as se kush je apo çfarë pozicioni politik ke.  Meqenëse fola për vetting-un, dua t’i them Lulit dhe Monikës mjaft takoheni skutave me ish-gjyqtarë e ish-prokurorë. Nuk ka asnjë shans që ky proces të kthehet mbrapsht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re