Për më shumë se tetë orë, ndërtesa e OVL-UÇK-së është mbajtur e rrethuar.

Policia e EULEX-it, ka arrestuar figurat kryesore të kësaj organizate, ndërsa ka konfiskuar CD e materiale tjera.

Aksioni shihet si spektakël, nga përfaqësues të OVL-UÇK-së të cilët thonë nëse Gucati dhe Haradinaj mbahen në Hagë do të zhvillojnë edhe protesta.

Avokati Arianit Koci thotë për KP se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vepruar sipas mandatit të vet. “Unë e kam një shqetësim se si duket juristët e huaj nuk po e kuptojnë kontekstin tonë shoqëror. Dhe nuk ka pasur nevojë për asnjë lloj spektakli.

Çdo i ftuar deri më tani i është përgjigjur ftesës edhe zotëri Gucati edhe zotëri Haradinaj ishin përgjigjur pa problem. Sa i përket bastisjes besoj që ka qenë një spektakël i panevojshëm. Ka pasur forca jashtëzakonisht të mëdha të policisë.

Dhe nuk është dashur, me dy tre policisë kanë mujt me kry bastisjen pa asnjë problem”, thotë Koci.

Ai thotë se ende nuk dihet nëse dosjet e dorëzuara në zyrat e OVL-UÇK-së, janë dokumente autentike. E për këtë sipas tij, prokuroria duhet të jap shpjegim dhe të hetojë se pse kanë dalë këto dosje në masë të madhe.

Si të tilla, Koci thotë se asnjë dokument, përmbajtja e tyre, ose emrat e dëshmitarëve nuk duhet të bëhen publike.

“Unë besoj që këtu edhe OVL ka ra grackë e dikujt që është duke zhvilluar një luftë speciale kundër Gjykatës Speciale dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Nuk po e len përshtypjen e mirë, sepse po ju shkon për shtati individëve që kanë qenë pro një gjykate kosovare me gjyqtarë të huajë, me prokurorë të huajë, me hetuesit e huajë dhe përkthyes të huajë”, thekson Koci.

Xhavit Jashari thotë se arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt është i papranueshëm për organizatën.“Unë nuk kisha me thanë që i kanë arrestuar, por kisha me thanë që ata janë kidnapuar. Forma, mënyra se si është ardh EULEX-i në zyrat e OVL-UÇK-së është e dënueshme dhe e papranueshme.

Për faktin se kanë ardhur njësitet e Speciales, e një gjykate të cilën ju e dini që ne nuk e njohim. Forma se si kanë ardhur në zyrat se si i kanë bllokuar hyrjet dhe daljet pa urdhër, dhe mos prania e vendorëve gjithashtu dhe largimi nga zyrat dhe duke dhënë urdhër që gjitha zyrat janë të hapura, kemi shumë dyshime. Sepse ata kanë mund pa qenë prezent dikush nga vendorët dhe vetë OVL-UÇK, kanë mund të bëhen montazhe siç ishte edhe spektakli i djeshëm”, deklaron Jashari.

Ndërkohë që për të gjitha këto që po ndodhin fajin ia lë Kuvendit të Kosovës, që e aprovoi formimin e Gjykatës Speciale. “Dhe mendoj se e gjithë kjo që po ndodhë, dhe i qoj selam prej këtu edhe vendorëve edhe ndërkombëtarëve, se nga spektaklet e tilla nuk frikohemi…Po besoj që protesta gjithsesi, por ne do t’i drejtohemi edhe organeve dhe institucioneve vendore. Sepse mendoj që turpi më i madh dje ka qenë për institucionet tona. Në radhë të parë për Parlamentin e Kosovës”, thekson ai.

Sipas fletë-arrestimit të lëshuar nga Prokurori i Specializuar për kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dyshohet për tre vepra penale bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Sipas pretendimeve të Speciales, ai mund të dënohet nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm.

Ndërkohë që për nënkryetarin Nasim Haradinajn nuk dihet se për cilën vepër penale është arrestuar. Haradinaj që nga dje e deri sot në mesditë nuk dihej se ku është dërguar. Kurse, pasdite, avokati Tomë Gashi konfirmoi se ai është dërguar në Hagë.

/Gazeta Express

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re