Analisti Andi Bushati tha se arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka nuk ishte në kuadër të drejtësisë, por një skemë e dirigjuar nga lart.

Sipas tij kryeministri Rama e di shumë mirë si do veprojë SPAK dhe në çfarë momenti, kështu që “në sitë” u vu dikush që nuk është as deputet, as ministër, nuk dëmton as partinë dhe i jep mundësinë publikut të mendojë se SPAK po bën drejtësi.

Bushati e cilësoi qesharak arsyetimin e Prokurorisë së Posaçme duke qenë se të gjitha akuzat përkonin identik me akuzat e LSI-së një vit më parë.

Analisti tha se ish-zyrtari i lartë u la të vidhte paratë deri në fund, t’i përdorte për një vit, madje dhe gjatë procesit zgjedhor.

“Për të mos shkuar më tej pastaj që po të njëjtat firma që kishte hedhur për inceneratorët e mbajtën peng dhe të bëhej opozitë fallco dhe të mos digjte mandatin,” shtoi ai.

Bushati tregoi se me Klodian Zoton e kishte zyrën ngjitur, zyrë e cila është mbyllur një muaj më parë.

“Dhe sot këta njerëz drejtësia e madhe që po i gjurmonte nuk i kap se kanë ikur. Pra, dikush i ka thënë, do bëjmë ‘shoë-n’ e rradhës, por duhet të ikni. E gjitha pra është një skenë e kombinuar që gjasme po bëjmë drejtësi, por drejtësi nuk ka,” – u shpreh analisti për Euronews Albania.

Bushati tha se SPAK kërkon paraprakisht leje nga Edi Rama për të arrestuar zyrtarë të lartë, përderisa të gjithë japin dorëheqjen pa arsye përpara se të arrestohen

Ai tha se arrestimet bëhen me dirigjim të kryeministrit dhe se SPAK nuk vepron nëse Edi Rama nuk e ka dhënë miratimin e tij për arrestimin e dikujt.

Analisti Bushati u nis nga rasti i arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka ditën e sotme, i cili me datë 1 shtator hoqi dorë nga mandati i deputetit në qarkun e Durrësit, ndërsa gjatë qeverisjes së kaluar të PS-së dha dorëheqjen nga posti i tij si ministër i Mjedisit.

“Fakti që dy muaj përpara i thotë Lefter Kokës të bëjë një dorëheqje pa shpjegim, se gjasme u plak dhe s’është më për politikë, mua më ngre dyshimit njësoj si me tenderin e uniformave e policisë, që zyrtarët para i përjashton ministri dhe më pas i arreston SPAK, kemi një drejtësi me leje të Edi Ramës”, u shpreh Andi Bushati.

“Vetëm pasi Rama i bën dalje, hyjnë këta trimat e SPAK dhe arrestojnë”, shtoi ai.

Andi Bushati e cilësoi veprimtarinë e SPAK si një teatër me drejtësinë.

Ndërsa, Baton Haxhiu thotë se drejtësia në Shqipëri është prej 30 vitesh e dirigjuar nga politika dhe kësaj nuk mund t’i shpëtojë as SPAK që sipas tij është krijuar nën filtrin e SHBA dhe Bashkimit Evropian.

“Për 30 vjet njoh dhjetëra raste që drejtësia ka qenë e dirigjuar nga politika dhe kësaj nuk i shpëtohet as sot”, u shpreh ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re