Prokuroria e Lartë Publike (VJT) në Beograd ka njoftuar se Milan Radoiçiç është marrë në pyetje.

Në njoftim thuhet se Milan R. (45 vjec) është marrë në pyetje me dyshimin se ai dhe disa persona të panjohur kanë kryer disa vepra penale, ndër to prodhimi, posedim dhe trafikimi i paautorizuar i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Radoiçiç akuzohej nga autoritetet kosovare si organizator dhe pjesëmarrës i sulmit të armatosur ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic.

Në deklaratën e VJT-së thuhet se i dyshuari ka mohuar kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.

Shtohet se pas seancës prokuroria i propozoi gjyqtarit që në procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes.

Prokuroria deklaroi gjithashtu se urdhri për zhvillimin e hetimeve përfshin disa persona, për momentin, të panjohur, të cilët akuzohen për veprën penale të veprave të rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme.

Siç është paralajmëruar, Radoiçiç akuzohet se ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla në Bosnje nga janari 2023 deri më 24 shtator.

Në njoftim thuhet se më pas ato armë i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte dhe pyje të braktisura.

“Si kryetar i një grupi me disa persona NN, me veprim të përbashkët dhe një veprim përgjithësisht të rrezikshëm më 24 shtator, ka rrezikuar jetën e njerëzve në qytetin e Banjskës në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë njoftoi se Milan Radoiçiç është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, Radoçiq është ndaluar nga policia deri në 48 orë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka deklaruar se është kontrolluar banesa dhe objektet tjera të Milan Radoiçiçit.

Më 29 shtator, sipas avokatit të tij Goran Petronijeviq, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjska në veri të Kosovës.

Në letrën e lexuar nga avokati i tij, Radoiçiç ka thënë se ka ardhur në Banjska, duke shpjeguar se ka qenë atje për t’u “bërë rezistencë” autoriteteve të Kosovës dhe për të “mbrojtur” popullin serb.

Po të njëjtën ditë Radoiçiç dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Policia e Kosovës më 24 shtator është sulmuar nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur, pasi kanë tentuar të heqin barrikadën e dy kamionëve të vendosur në drejtim të fshatit Banjska, komuna e Zveçanit në veri të Kosovës.

Dhe pikërisht aty mbeti i vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku.

Më pas, në shkëmbimin e zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb.

Më 30 shtator, siç njoftoi në atë kohë Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, Radoiçiç dha një deklaratë në cilësinë e qytetarit “për rrethanat e ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës”.

Në atë kohë është bërë e ditur se për sa më sipër do të njoftohet Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtutjeshme procedurale në kompetencë të saj.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçlja, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator se autoritetet kompetente të Kosovës, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë të “të gjithë atyre që morën pjesë në planifikimin dhe zbatimin e aksionit terrorist” në Banjska.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin ndaj policisë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë për këtë sulm, të cilin Beogradi zyrtar e ka mohuar, duke thënë se serbët nuk duan të vuajnë më “terrorin e Kurtit”.

Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjska dhe kërkuan që sulmuesit të gjenden dhe të sillen para drejtësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re