Bisedoi: Iliada Kovaçi

Arrestimi i mjekut në spitalin e Traumës është një nga ngjarjet që ka prekur më tepër sistemin shëndetësor ditët e fundit. Në një intervistë për gazetën Shëndeti Online, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, Dr. Gentian Stroni, shprehet se vitet e fundit janë rreth 35 mjekë të arrestuar në sistemin shëndetësor shqiptar.

Por, si ndikon kjo situatë në besimin e popullatës ndaj bluzave të bardha, duke njohur marrëdhënien e brishtë mjekë-pacient? A është kjo mënyra e duhur për të promovuar luftën kundër korrupsionit në shëndetësi?

Doktor, arrestimi i kolegut në spitalin e Traumës ka prekur jo vetëm profesionistët e shëndetit port ë gjithë opinionin publik. Midis reagimesh për situatën në fjalë, kemi parë dhe një reagim në rrjete sociale nga Sindikata e punonjësve të Shërbimit shëndetësor. Cilat janë hapat që do të ndërmerrni në vazhdim dhe a do ndërmerrni iniciativa të tjera?

Po, sikurse është ndjekur edhe nga ju, por edhe nga të gjithë në rrjete sociale, ne kemi bërë një reagim që ju drejtohet tre institucioneve: Spitali Universitar i Traumës; Strukturave të rendit publik dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjithashtu, kam adresuar qëndrimin tonë edhe tek institucionet e pavarura.

Cili është qëndrimi juaj për situatën, si do ta analizonit?

Ne, në asnjë mënyrë, nuk mbrojmë aktet korruptive që ndodhin! Ne bëjmë analizën se përse këto akte korruptive ndodhin. Pra, arsyeja pse ne ia drejtojmë problematikën MSHMS-së është sepse ka një arsye se përsë ndodhin këto akte korruptive në sistemin spitalor shtetëror dhe nuk ndodhin në spitalet private. Cili është problemi që kanë spitalet shtetërore dhe përse shfaqen këto problematika tek mjekët? Gjykimi është shumë i thjeshtë: pagat nuk janë dinjitoze, që do të thotë se sistemi mjekësor shtetëror ka paga diskriminuese, rrjedhimisht çdo mjek, infermier apo personel është i predispozuar të bie pre e një akti korruptiv. Problemi është shumë serioz kur për shkak të abuzimit (mitmarrjes, korrupsionit) mohohet e drejta e shërbimit shëndetësor apo bëhet e vështirë për tu marrë shërbimi shëndetësor. Por, raste të tilla janë gjithnjë e më të pakta.  Edhe nëse ndjekim kronologjinë e rastit të fundit, ka patur një person të infiltruar që përgjatë gjithë ditës intimidonte mjekun për ti dhënë para dhe për tia futur në xhep. Dhe pas një situate të tillë, kur mjeku intimidohet, miklohet, ai mjek duhet edhe të dënohet.

Por, a duhet të mos pranonte? Patjetër që mund të mos e pranonte, por nuk dua të bëj analizën e personit. Në atë pozitë mund të ishte kushdo nga stafi mjekësor dhe mbase do bënte të njëjtën gjë, ose shumë pak veta do bënin ndryshe. Akti ka qënë I provokuar dhe sigurisht që cilido nga ne është I predispozuar të bie pre e provokimit.

Rrjedhimisht rikthehemi tek situata që po diskutojmë në aspektin global dhe themi që nëse ne do të kishim paga dinjitoze a do të kishte nevojë që të ndodhte një gjë e tillë? Nuk do kishte nevojë as pacienti apo familjari që t’i jepte diçka, kështu që rrjedhimisht që çdo gjë do bërë si me lekë, si pa lekë ekzaktësisht i njëjti shërbim.

Çdo mjek ka një normë pune, çka do të thotë duhet të bëjë 2-3 operacione në ditë. Por, realisht mjeku po tejkalon kapacitetet e veta dhe nga maksimumi 3 operacione që duhet të bëjë, bën 9. Pse? Sepse ngarkesa maksimale ka rënë në Qendrën Universitare të Traumës, pasi nuk funksionon kirurgjia në QSUT. Rrjedhimisht ka shkuar e gjithë ngarkesa atje! Aktualisht, mjekët e spitalit të Traumës kanë ngarkesën e operacioneve të planifikuara, operacioneve të traumës që ndodhin gjatë ditës dhe urgjencat kirurgjikale/abdominale. I njëjti staf duhet të bëjë 3-fishin e punës që bënte më parë! Atëherë ka vend këtu për tu atakuar ose për të pasur problematikë? Sigurisht që bie cilësia, sigurisht që bëhen më të vështira gjërat dhe rrjedhimisht do të duhet që për të lëvizur rradhën siç ndodh rëndom, bëjmë akte korruptive. Kjo nuk ndodh vetë, në mjekësi, kjo ndodh kudo! Thjeshtë ne shqiptarët vetëm për të kaluar nga i 10-ti tek i 1-ri ne provokojmë dhe kryejmë një akt korruptiv.

Çështjet tjetër është: Krijiimi i kushteve ku bluzat e bardha të punojnë të qetë pa u mikluar nga faktorë të ndryshëm ambiental.

A ekziston mundësia që të mos funksionojë më situata e orientimit të pacientit drejtpërdrejt tek mjeku kur do të bëhet operacion? Sigurisht që do duhet të jepet një informacion! Por, meqenëse MSHMS ka shtuar stafin administrativ nëpër spitale, ku midis tyre ka psikologë, sociologë e me rradhë, pse mos të merret ky staf? Pra, të marrë informacion dhe të jetë një staf i ndërmjetëm midis personelit shëndetësor dhe pacientit ose familjarit të pacientit dhe ja ku u eleminua hallka e mundësisë së bërjes së një akti korruptiv.

Pikë tjetër: Trajtimi i kësaj shtrese jo si një shtresë kriminelësh ku herët a vonë gjithsecilit mund ti jepet një goditje për të bërë të tjerët që të kujtojnë se pas rastit të parë rradhën e ka i dyti e me rradhë.

Pra, në çdo moment që diskutohet rasti i një mjeku apo i gjithë mjekësisë, një infermieri apo gjithë infermierëve përherë konsiderohen si kontigjentë krimi. Pra, në çdo media del sikur kemi të bëjmë me kontigjentë krimi. Të gjithëve iu serviret ideja që tashmë këta sollën korrupsionin dhe këta duhet t’i godasim. A nuk është kjo një mendësi negative? Sigurisht që po!

Kthehemi tani në problematikën që ndodhi ekzaktësisht me këtë rast.

Mos harroni që rasti ishte i provokuar. Pra, ishte intimidim i mjekut që nga mëngjesi derisa arritën që ta realizonin këtë gjë. Gjatë gjithë kohës ishte i survejuar. Pse do duhet që ky mjek të marrë këtë lloj reagimi ose ndaj këtij mjeku të merret ky lloj reagimi i ashpër, brutal i policisë ku ne kemi persona që kanë vjedhur shtetin, persona që vjedhin pronën publike, persona të cilët TV i jep me zë dhe figurë se kush janë që ndërtojnë pallate apo që janë të paditur dhe abuzojnë me atë çfarë i është dhënë dhe nuk i kemi parë që të trajtohen në mënyrën brutale siç policia bëri me mjekun në fjalë? Problemi qëndron që në procedurën që ata zbatuan kishte shkelje, për të mos vajtur më tej dhe në shkeljet që ata bënë në mënyrën sesi vepruan në mjekësi. Në aspektin e tyre le të marrim vetëm momentet e veprimit ku:

  • Këto struktura dëmtuan rëndë imazhin personal të një njeriu por edhe figurën e mjekut në përgjithësi duke I vendosur të gjithë mjekët në urrejtjen e masave, duke vështirësuar maksimalisht jetën dhe punën e gjithë kësaj armate që lufton në shërbim dhe përmirësimin e kushteve shëndetësore të popullatës.
  • Gjatë momentit këto struktura rrezikuan rëndë jetën e pacientit i cili ishte i intubuar në mbikëqyrjen e mjekut. Që do të thotë që ky mjek ishte duke bërë një punë dhe për të mirën e pacientit por dhe për të keqen pasi në momentin kur largohet ky mjek, pacienti i intubuar ngeli në mëshirën e fatit, pra morën mjekun pa e zëvendësuar. Nuk ishte detyra e tyre por minimalisht do duhej që t’i jepnin mundësi që ky të bënte të mundur dhënien e detyrës dikujt tjetër.
  • Së treti morën këtë mjek me uniformën e punës. Uniforma e punës është jo vetëm e shenjtë por dhe është e strukturës spitalore por nga ana tjetër konsiderohet si një moment ku personi ndërrohet sepse bëhet promotor për kalimin e infeksioneve ose problematikave tek persona të tjerë.

Tjetër akt i shkeljes së protokollit:

Dëmtuan rëndë sterilitetin e ambientit të sallave duke rrezikuar kështu në vazhdimësi pacientët të cilët janë dhe do vazhdojnë të jenë në ato ambiente.

Pra janë futur në ambiente spitalore rreptësisht të ndaluara, ku edhe unë me bluzë të bardhë, mjek e kam totalisht të ndaluar që të hyj në sallën e operacionit nëse nuk jam mjek kirurg. Ndërkohë që hyjnë 3-4 policë të veshur rëndë, me armatime të rënda në sallën e operacionit. Figura sigurisht që ishte e rëndë sepse ata të paraqitur me antiplumb, kokore, maska pra, ndërhyrja e forcave të shpejta që ishin në ndihmë të policisë po bënin arrestimin e një personazhi super të kërkuar, ndoshta? Jo! Mjafton që këtij mjeku t’i bëhej një telefonatë e t’i thuhej që kërkohet paraqitja në komisariat dhe ai do të paraqitej atje dhe nuk do të ishte fare e nevojshme për gjithë këtë lloj shoë!

Ekspozuan aksionin.

Shoë vazhdon ose procedura e shkelur vazhdon, ku policia praktikisht ka marrë në telefon gjithë mediat, sepse mediat prisnin të gjitha përpara pjesës kryesore të spitalit për dicka që po ndodhte në brendësi të tij. Në një kohë kur pikërisht ky akt i bërë, duke vendosur këtë mjek edhe pranga duke e nxjerrë para shtypit e medias është dhe shkelje e të drejtave të njeriut përveç faktit që forcat e ndërhyrjes së shpejtë apo policia kanë dekonspiruar aksionin e tyre. Pra, policia paska marrë përsipër të bëjë një aksion, por si mundet që këta të shkelin edhe procedurat e tyre? Që dekonspirojnë te media këtë lloj aksioni pra këta nuk e paskan pasur problematikën që ky mjek mund të largohet ose qoftë edhe me telefonatë mund të mos vinte në komisariat. Këta e paskan pasur për të dhënë një mesazh dhe mesazhi ishte i gabuar. Arsyeja ishte sepse në rradhë të parë shkelën të drejtat e njeriut, të drejtat e një mjeku dhe të mjekëvë të tjerë dhe në rradhë të tretë ata bënë të mundur që të jepnin këtë mesazh që e gjithë armata e mjekëve është e korruptuar. Pra, këto janë shkelje të cilat vijnë hap pas hapi por që strukturat e rendit publik duhet t’i analizojnë dhe të nxjerrin përgjegjësin. Pra, nëse nuk del përgjegjësi për këtë punë do të thotë që nuk është bërë asgjë dhe do të ndodhi nesër sërisht, ashtu sikurse ka ndodhur.

Ashtu sikurse unë jam kritik në këto momente dhe sindikata gjithashtu, jemi kritik për mënyrën e trajtimit të figurës njerëzore dhe mjekësore edhe nga mediat. Këto media të cilat arritën të jepnin imazhin më të keq të mundshëm në popullatë. Imazhi i dhënë është imazhi më i keq i dhënë në popullatë qoftë për rastin më korruptiv të mundshëm.

Për të kaluar pastaj tek strukturat spitalore

Sigurisht që të gjithë kolegët e spitalit, mjekë që punonin gjatë asaj dite u ndjenë të tradhëtuar nga struktura drejtuese spitalore. Arsyeja ishte se e morën vesh mediat dhe nuk e mori vesh drejtoria se në spitalin ku ata drejtojnë do të ndodhi një akt i tillë apo do të ndodhi një shoë i tillë. Ne e dimë shumë mirë që çdo media e ka për detyrë të marrë leje për para se sa të shkojë të bëjë një filmim apo regjistrim, duhet të marrë leje në strukturat drejtuese. Pra, bie poshtë ajo fjalë që thonë “ne ishim të painformuar për këtë gjë”. Është në gabimin e tyre nëse ishin të painformuar pasi do të thotë që ata lejojnë që brenda strukturave të një spitali të ndodhin këto. Sot, ishte policia po nëse nesër do të ishin disa forca të panjohura që s’dihet, disa persona të cilët mund të mos kenë lidhje me ligjin

Raste të dëgjuara këto! Po, raste të dëgjuara siç ju e thatë, dhe të shkojnë të rrëmbëjnë një person e të ndodhi brenda institucionit. Pra, a do duhet të mbajë përgjegjësi ky institucion? Sigurisht që po dhe e fundit që do duhet, përveç faktit që do duhej të merreshin masa , të ndërronin doktorin, të mos lejonin shkeljen e sterilitetit të sallës etj, pra që qëndrojnë edhe për ta, po në fund të ditës do duhet të themi që ky institucion është i njollosur po njësoj sikurse personi që ka bërë aktin korruptiv. Që do të thotë që nuk duhet të dali nga përgjegjshmëria, sigurisht që përgjegjësia është individuale po përgjegjshmëria është edhe e institucionit. Ky institucion duhe të marri masa sikurse ia adresuan MSHMS-së. Duhet të marrë masa që këto gjëra të mos ndodhin në atë lloj institucioni dhe nëse ndodhin duhet që përgjegjshmëria të dalë dhe tek këta dhe të konsiderohet si një problematikë që ka ndodhur vërtetë nga individi por është një individ i inkorporuar në këtë lloj strukture. Pra, njolloset i gjithë spitali dhe jo vetëm një individ!

Të gjitha këto material/arsyetime ne ja kemi adresuar institucioneve që thamë më lart, por edhe tek Avokati I Popullit. Në vazhdim, do ta adresojmë tek Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit sepse ky është një akt diskriminues për të drejtat e njeriut. Ai nuk mund të prezumohet si fajtor as nga mediat as nga institucionet publike deri kur gjykata të shprehet.

Sepse, janë 35 raste mjekësh që vitet e fundit shkojnë drejt gjyqit dhe dalin të pafajshëm. Tani, a është gjykata që nuk funksionon apo diçka tjetër, nuk më takon mua ta bëj këtë analizë. Pra, gjykata, ligji ose strukturat e tjera japin verdiktin, japin të drejtën e rikthimit në punë këtyre mjekëve, i japin pafajësinë pavarësisht se është prezumuar prej ditës së parë sikur ai është fajtor. Për të gjitha këto arsye, kjo mendësi duhet të ndryshojë.  Ne kemi parë në televizor raste politikanësh të paskrupullt, politikanë që nxjerrin njëri-tjetrin me shuma skandaloze dhe në fund të ditës nuk janë dënuar. Kështu që, pse do duhet që të bëhet shembull vetëm mjekësia?  Ku qëndron ky lloj mesazhi ose cili është qëllimi që duan t’i japin këtyre mesazheve? Për të goditur mjekësinë? Cila është? Kjo është pikëpyetja jonë.

I pyetur dhe mbi gjendjen aktuale shëndetësore të mjekut i cili u arrestua, u mësua se gjendja e tij është stabilizuar. Aktualisht ai është jashtë rrezikut por sidoqoftë vazhdon të jetë në spital i shtruar në Spitalin Neurologjik.

 

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re