Një ditë pas arrestimit të Drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, njeriu i besuar i ministres Belinda Balluku, ka reaguar edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili ka deklaruar se “nuk do të kursejnë askënd”.

Në takimin e parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”,  pa praninë e kamerave, Dumani është shprehur se SPAK po vijon punën për hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimit të organizuar.

“Për vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur. Rezultatet na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë”, tha kreu i trupës së prokurorëve të posaçëm.

Kjo deklaratë vjen një ditë pas arrestimit të drejtorit të ARRSH Evis Berberi, bashkëpunëtorit më të afërt të Belinda Ballukut, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ndërkohë që edhe roli i vetë ministres më të rëndësishme të qeverisë Rama është nën hetim.

Më pas Dumani u ndal te lufta ndaj krimit të organizuar, kërcënimet e të cilit përbëjnë shqetësim, por sipas tij, anëtarët e SPAK janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata.

LEXO EDHE: Deklarata e fortë e kreut të SPAK: Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori! Nuk më shqetëson politika, por…

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re