Partia Demokratike ka paralajmëruar se do jetë në protestën e organizuar nga shoqëria civile para kryeministrisë, ku do reagohet ndaj rastit të Xhisiela Malokut, vajzës së dhunuar nga djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, arrestuar një ditë më parë me urdhër-arrest të Prokurorisë së Krujës.

Aludohet se prangosja e tij ka ardhur për shkak të presionit publik, pasi në logjikën e thjeshtë penale ai duhet të ishte arrestuar me kohë, qëkur është bërë denoncimi i parë i tij në korrik.

“Arrestim për fasadë, në shkëmbim të heshtjes së opinionit publik. Ka synim edhe mbylljen sa më parë të skandalit”, tha deputetja demokrate Tabaku.

Skandali shpërtheu kur një polic në arrati, Emiljano Nuhu, ish-oficer në Komisariatin e Fushë Krujës, denoncoi ato që konsideron “kërcënime ndaj tij”, për shkak se dhunuesi ishte djalë deputeti. Ishte pikërisht Nuhu, zyrtari policor të cilit iu dha dosja për shqyrtim. Ndërkohë, policia pretendon se efektivi i saj nuk zbatoi procedurat e kërkuara sipas denoncimit të vajzës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re