Ish-ministri dhe ish deputeti socialist, Ditmir Bushati, ka folur sot (14 tetor) ne lidhje me arrestimit të disa zyrtarëve të lartë, ku është shprehur se sipas tij nuk është SPAK që duhet ta bëjë luftën kundër korrupsionit, por qeveria.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai theksoi më tej se sipas tij, lufta ndaj korrupsionit bëhet me veprime të qarta politike dhe me marrje të përgjegjësive, që shqetësojnë opinionin dhe buxhetin.

Pyetje: Arrestimet e fundit nga SPAK janë vërtetë luftë kundër korrupsionit apo janë disa statistika për tu përmbushur?

Bushati: Lufta e vërtetë kundër korrupsionit është çështje kulture dhe çështje botëkuptimi. Korrupsioni duhet të luftohet në radhë të parë nga qeveria, duhet të luftohet me veprime të qarta politike dhe me marrje të përgjegjësive që shqetësojnë opinionin dhe buxhetin. SPAK nxjerr vetëm përgjegjësitë individuale. SPAK ka për detyrë ti shkojë çështjeve që kanë lidhje me përgjegjësitë individuale. PS deri tani ka treguar gatishmëri për të mos penguar punën e SPAK. Është shumë e rëndësishme që anti-korrupsionin, anti-nepotizmin ne nuk mund të presim të na e luftojë SPAK edhe sikur të marrim të mirëqenë që në SPAK janë të gjithë prokurorët ëngjëj, çka nuk është rasti. Ne na duhet të kemi një qasje tjetër në raport me çështjen e sundimit të së drejtës.

I pyetur nëse janë dëmtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas arrestimit të Fredi Belerit, Bushati u shpreh se “çështja e Belerit është një çështje e sundimit të së drejtës”, ndaj sipas tij, “kur ka pretendime mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi kandidat ka instanca siç mund të jetë Komisioni Europian që mund të jetë në pozicionin e arbitrit”.

“Janë dy çështje të ndara. Gabimisht po i bashkëngjiten njëra tjetrës. Çështja e Belerit është një çështje e sundimit të së drejtës. Kur ka pretendime mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi kandidat ka instanca siç mund të jetë Komisioni Europian që mund të jetë në pozicionin e arbitrit. Shqipëria është vend anëtar i KiE-së, Beleri mund të shkojë atje. Kjo çështje nuk ka pse të mbivendosë marrëdhëniet me Greqinë”, u shpreh Bushati.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re