Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë me një deklaratë zyrtare, sa i takon arrestimit të zyrtareve të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Përmes një postimi, PD shprehet se arrestimi i tyre provon ekzistencën e korrupsionit në qeverinë e Edi Ramës.

 

Në deklaratë, opozita i bën thirrje SPAK për të hetuar deri në fund këtë aferë dhe të mos neglizhojë situatën, ndërsa kanë kërkuar që pjesë e hetimit të jetë edhe vetë ministrja Ogerta Manastirliu.

 

“Korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike. Arrestimi në flagrancë i zyrtares më të lartë publike të Ministrisë së Shëndetësisë provon sesa i përhapur është korrupsioni në qeverinë e Edi Ramës.

 

3 vite më parë, në kulmin e pandemisë, PD provoi me dokumenta zyrtarë se Ministria e Shëndetësisë i përdori tenderat sekretë për të vjedhur qytetarët. Pajisjet dhe medikamentet antiCovid u blenë 3-5 herë më shtrenjtë, por Ministrja e Shëndetësisë refuzoi të mbajë përgjegjësi politike. Po ashtu, SPAK-u nuk i shërbeu interesit publik me hetimin gjysmak.

 

Sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj. Edhe shqiptari më i painteresuar për këto punë, e di që ministri ka dijeni dhe vendos për fatin e një tenderi. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun!”, thuhet në deklaratë.

 

PD kërkon dorëheqjen e ministres Manastirliu, si përgjegjësen kryesore të korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë.

 

“Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë është pjesë dhe i shërben një sistemi të kalbur nga korrupsioni.

 

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tendarat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm”, përfundon deklarata e PD.

 

Një ditë më parë në pranga ranë Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialistja e nivelit të lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Sheto të cilat kanë favorizuar një operator ekonomik në një tender të “Supervizimit për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re