Sekretari i përgjithshëm, Damian Gjiknuri i konsideroi akuza ndaj kryeministrit Rama për takimet me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, si një tymnajë që synojnë të heqin vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
Në një intervistë për mediat, Gjiknuri tha se këto janë histori qesharake që thuhet nga Berisha dhe që ngjasojnë me filmin “Fije që priten” me personazhin Sami Ameni.
“Historia kthehet vërtet në qesharake dhe është bërë po të them me qëllim vetëm e vetëm që të sfumohet e vërteta që ka të bëjë me 21 janarin dhe me faktet e reja. Këto janë nga ato filmat thriller që vetëm në mendjen e Sali Berishës apo të tjerëve që i amplifikojnë të mund të quhen të vërteta. Pra, që një shqiptar lëvizka interesat e të gjithë botës apo kryeministri shqiptar na qenka korruptuesi më i madh i gjithë botës. Deri dje thoshin Xhorxh Soros, tani na doli dhe një shqiptari amerikan, kushëriri i Besnik Mustafait etj. Pra qytete shqiptarë dhe amerikan që vjen e hyn në Shqipëri, sa herë të dojë dhe na dilka që gjithë ky komplot na u bëka nga zyra e Edi Ramës deri në këto nivele të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra këto janë histori qesharake. Sinqerisht më duken si ato , është si të marrësh, regjisorin e filmit “Fije që priten”, me Sami Amenin, dhe t’ia vësh tani filmave të sotëm me agjentin 007, madje post Danien Craig. Vetëm në mendjen e Berishës mund të ndodhin këto. Po unë kam një shpjegim kështu gjysmë psikologjik për këto. Kjo është për t’u parë, por përgjithësisht njerëzit, Berisha mund të jetë nga rusofil kthehet në rusofob. Çdo ngjarje botërore e lidh me Edi Ramën dhe me Rusinë. Kështu thotë për portin e Durrësit, kështu thoshte dhe kështu erdhën dhe ata agjentët tek ata rrënojat sovjetike në Gramsh, i la Edi Rama që të na zbulojnë sekretet ushtarake. Të tilla gjëra ka thënë gjithmonë, por në themel, ai mund të jetë rusofil dhe hiqet si rusofob që çdo gjë do ta shpjegojë me interesin e tij. Pra çka në mendje e bën vetë, do që t’ia atribuojë tjetrit. Megjithatë kjo është një lloj sindrome psikologjike që i takon të tjerëve ta studiojë , por të paktën ky fakt është i dukshëm. Këto janë lidhje rastësore, që nuk kanë lidhje fare me interesat gjoja të mëdha të Rusisë në Shqipëri, por përkundrazi janë si i mbyturi që kapet pas një dege, pas fijes së kashtës kur e ka marrë rrjedha e lumit dhe lumi i historisë po e çon aty ku ai nuk mund të ngrihet më”, tha Damian Gjiknuri.