Skip to content

Arrestimi: kush është gruaja që “vrau” nipin e De Niros?

Një tregtare e dyshuar droge i njohur si “Princesha e Percocet” është arrestuar me dyshimin se ishte përgjegjëse për vdekjen nga mbidoza e nipit 19-vjeçar të aktorit hollivudian Robert De Niro, mësoi The Post.

Sofia Haley Marks, 20 vjeçe, dyshohet se i ka shitur drogë Leandro De Niro Rodriguez para se ky i fundit të gjendej i vdekur në banesën e tij, tha një burim policor.

Sipas burimeve, ajo është akuzuar për shpërndarje droge dhe pritet të gjykohet në gjykatën federale në Manhattan.

Që në fillim, policia hetoi vdekjen e Leandros si një mbidozë të mundshme pasi një substancë pluhuri e bardhë dhe mjete droge u gjetën pranë trupit të adoleshentit.

Nëna e Leandros, Drena De Niro, është vajza e madhe e Robert De Niros me ish-bashkëshorten Diahnne Abbott.

Drena më herët kishte treguar se beson se djali i saj vdiq pasi kishte marrë pilula që përmbanin fentanil. Personi që i shiti drogën adoleshentit e bëri këtë me vetëdije, tha ajo.

“Dikush i shiti pilula që përmbanin fentanil dhe ai e dinte se çfarë ishin, por gjithsesi ia shiti”, ka shkruar ajo në Instagram, duke shtuar:

“Pra, një mesazh për të gjithë ata njerëz që ende po e shesin dhe blejnë këtë ‘ëndërr’, djali im është zhdukur përgjithmonë”.

Shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është zbuluar.

Shefi i NYPD-së, James Essig, u tha gazetarëve muajin e kaluar se fentanili tani është “inkorporuar në ndoshta 98% të barnave” në New York.

“Njerëzit kanë një tolerancë të ulët, prandaj mbidozojnë kaq shumë”, shtoi ai.