Dy punonjës të burgjeve janë arrestuar për korrupsion, pasi dyshohet se merrnin para për të punësuar persona në burgje. Me urdhër të SPAK u vunë në pranga Agron Balla dhe Klodian Gjeci.

Ndaj tyre, ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë arrest në burg nga Gjykata e Posaçme.

Hetimet e SPAK kanë nisur në vitin 2021 për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK, ka dyshime se Agron Balla dhe Klodian Gjeci, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë kërkuar dhe kanë marrë para nga një qytetar duke i premtuar atij punësim në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ka dyshime se Balla e Gjeci kanë ndërhyrë tek persona të tjerë, punonjës në këtë drejtori për të bërë punësimin e qytetarit.

Prokuroria e Posaçme ka dyshime se dy punonjësit e arrestuar kanë marrë para edhe tek persona të tjerë, rastet e të cilave vijojnë të jenën nën hetim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re