Policia Kufitare evidenton dhe godet një rast të tentativës për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara.

Vihen në pranga 2 shtetas afrikanë që tentuan të kalonin kufirin me dokumente të dyshuara të falsifikuara.

Vihet në pranga edhe një shtetas francez, i cili i kishte pajisur këta dy shtetas, me dokumente false, kundrejt shpërblimit.

Sekuestrohen dy pasaportat që do të mundësonin kalimin e afrikanëve drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kalimit të kufirit me dokumente të falsifikuara, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë evidentuan dhe goditën një rast të kësaj veprimtarive të paligjshme. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve M. M., 41 vjeç, K. P., 32 vjeç, të dy banues në Comoros, Afrikë dhe T. M., 59 vjeç, banues në Paris, Francë.

Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, dy shtetasit afrikanë kanë paraqitur pasaporta franceze në emër të dy shtetasve të tjerë. Nga kontrolli i mëtejshëm që shërbimet e Policisë Kufitare kryen në sistem, këto dokumente rezultuan të dyshuara të falsifikuara.

Në bazë të hetimeve të mëtejshme hetimore dyshohet se shtetasi francez T. M. ka ndihmuar dy shtetasit afrikanë, kundrejt shpërblimit, duke iu siguruar atyre dokumentet e identifikimit, me premtimin për t’i kaluar në drejtim të vendeve të BE-së, nëpërmjet vendit tonë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re