Vijon operacioni i policisë në Gjirokastër për të goditur të tjera raste për shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë dy shtetas të cilët po shpërndanin lëndën narkotike të ndarë në disa doza gati për shitje.

Në kuadër të operacionit policor “No more” u arrestuan në flagrancë shtetasit Ervis Cama dhe Herolind Haskaj.

Policia Gjirokastër:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “NO MORE”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike gati për shpërndarje.
Vihen në pranga 2 shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, si rezultat i një pune policore të pandërprerë disamujore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “NO MORE”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. C., 30 vjeç, banues në Gjirokastër dhe H. H., 36 vjeç, banues në Gjirokastër.

Në vendin e quajtur “Ura e lumit”, gjatë kontrollit fizik shtetasit E. C. iu gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. C., u konstatua shtetasi H. H., të cilit iu gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Më tej, kontrolli nga shërbimet e Policisë ka vijuar në biznesin (dyqan tabacco) në pronësi të shtetasit H. H., ku u gjetën 60 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa gati për shpërndarje, 260 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një peshore, 22 paketa cigaresh pa pullë fiskale, 6 qese me duhan të grirë pa pullë fiskale dhe 11 pako me duhan të grirë pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 5 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re