Dy të rinj nga Burreli janë arrestuar nga policia e Tiranës mëngjesin e kësaj të premteje, si autorë të dyshuar të grabitjes, e cila përfundoi me vrasjen e një 53 vjecari në një miniarket në Kamëz.
 
Burime nga policia bëjnë me dije se është ndaluar edhe një tjetër person i dyshuar si pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë.
 
Të rinjtë janë marrë në pyetje nga agjentët, por ende po mblidhen prova për të faktuar përfshirjen e tyre në krim.
 
Ndërkohë, numri i të shoqëruarve për ngjarjen ka arritur në mbi 35 persona.
 
Grabitja ndodhi mbrëmjen e 25 Prillit, në lagjen “OSBE” të Kamzës ku dy persona të armatosur tentuan të grabisnin miminmarketin e familjes Buci.
 
Gjatë përleshjes me pronarin e minimarketit autorët qëlluan me armë Agim Bucin, duke i shkaktuar vdekjen, dhe plagosën bashkëshorten e tij Merita Buci, e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
 
Pas ngjarjes, autorët u larguan nga vendngjarja. Kamerat e sigurisë së biznesit filmuan dy autorët, të cilët ishin me kapele. Një ditë më parë për identifikimin dhe dhënien e informacioneve të vlefshme për vendndodhjen e tyre, Policia e Tiranës vendosi edhe shpërblim prej 5 milionë lekë të vjetra.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re