Dy gazetarë dhe tre punonjës nga ekipi teknik i një prej kanaleve kombëtare RTBF të Belgjikës janë arrestuar në vendin e ngjarjes teksa po bënin lajmin e protestës për qendrën e re të refugjatëve të ndërtuar jashtë Brukselit.

Sipas lajmit të gazetës “Brussels Times” ditën e djeshme është zhvilluar një protestë për qendrën e re të refugjatëve e cila është ndërtuar në rajonin Steenokkerzeel.

Policia e cila ka arrestuar disa nga protestuesit, ka arrestuar edhe pjesëtarët e ekipit të RTBF të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes për protestën dhe të cilët po kryenin detyrën e tyre.

Forcat policore kanë konfiskuar celularët e ekipit të RTBF të cilët pavarësisht paralajmërimeve që të mos filmojnë kanë vazhduar realizimin punës së tyre.

Himad Messoudi, një prej gazetarëve të arrestuar, në një deklaratë për RTBF, gjatë kohës së arrestimit është shprehur “Aktualisht ndodhemi në automjetin e policisë. Po na dërgojnë në komisariatin e policisë. Po e përsëris sërish se nuk jemi të përfshirë në ndonjë ngjarje të dhunës. Vetëm po filmonim protestën”.

Reagime ndaj arrestimit të gazetarëve

Zyrtarët e RTBF të cilët kanë reaguar ndaj arrestimit kanë njoftuar se ata mund të fillojnë me veprimet ligjore. Po ashtu edhe Unioni i Gazetarëve Profesionistë (AJP) kanë njoftuar se këtë çështje do ta referojnë tek kryeministri belg, Charles Michel, dhe ministri i Brendshëm, Jan Jambon.

Ndërsa edhe drejtori i lajmeve të RTBF, Jean-Pierre Jacqmin, ka theksuar se arrestimi përbën “pengesë serioze për lirinë e informacionit”, transmeton aa.

“Ky ishte një arrestim provokues. Gazetarët po ushtronin detyrën e tyre në mënyrë profesionale”, ka vlerësuar Jacqmin.

Ndërkohë theksohet se gazetarët më pas janë liruar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re