Autoritetet britanike kanë arrestuar Edmond Haxhian, i cili akuzohet si organizatori i atentatit mafioz ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj.

 

Në pranga kanë rënë gjithashtu dy shtetasit anglezë Thomas Mithan dhe Steven Hunt. Këta të fundit kishin rolin e vëzhguesit në këtë vrasje që tronditi Shëngjinin pak ditë me pare.

 

Të tre këta persona janë kapur në Britaninë e Madhe në afërsi të banesave të tyre. Policia arriti që të zbulojë vendndodhjen e tyre përmes përgjimeve celulare. Sipas burimeve, pala angleze është gati edhe për arrestimin e shtetases britanike Harriet Bridgeman, pasi është bërë i mundur edhe lokalizimi i saj.

 

Ndërkohë për vrasjen e Ardian Nikulajt vijon të mbetet në kërkim vrasësi portugez Ruben Saraiva dhe britaniku tjetër Harry Simson.

 

Menjëherë pas krimit, këta persona u arratisën në Angli, përveç portugezit Saraiva i cili nga Kapshtica kaloi në shtetin grek. Zyrtarisht ky i fundit rezulton të jetë në vendin fqinj, por ka dyshime se ai eshte larguar ilegalisht nga Greqia.

 

Më heret zyrtarisht policia beri te ditur se vrasja e 51-vjeçarit Nikulaj, i cili u qëllua për vdekje me 7 plumba brenda lokalit të tij u krye për gjakmarrje.

 

Porositësi i vrasjes Edmond Haxhia, është kushëri i Lekstakajve, fis me të cilën biznesmeni ishte në hasmëri që prej vitit 1996. Duket se Haxhia nuk i ka harruar hasmëritë e vjetra dhe organizoi gjithë skemën e ekzekutimit.

 

Ruben Saraiva me një motor shkoi në Shëngjin dhe pas vrasjes u largua me të njëjtin mjet. Ai kishte të paktën dy muaj që jetonte në banesën e Haxhisë në Kakarriq të Lezhës deri sa priti momentin e duhur për të kryer vrasjen.

 

4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. Ata erdhen në data të ndryshme në Shqipëri duke u kamufluar si turistë. Më pas kanë vizituar shpesh herë zonën e Shëngjinit dhe lëvizjet e Ardian Nikulajt. Të arrestuarit pritet që të dalin përpara gjykatës në Angli për tu njohur me akuzat dhe më pas të nisin procedurat e ekstradimit të tyre në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re