Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Peqin të Elbasanit, ku një inxhinier rrugësh ka humbur jetën tragjikisht teksa po kontrollonte punimet e një ure.

Viktima është identifikuar si Guri Dashi, me origjinë nga Rrajca e Librazhdit. Prej vitesh, ai ka punuar në disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend, mes tyre “Alb Star” dhe “Alb Building”.
Ikja e tij e parakohshme ka lënë pas një dhimbje të thellë për familjen, miqtë dhe kolegët, ndërsa më së shumti që vuajnë dhimbjen e madhe janë dy fëmijët e tij të mitur.
Njoftimi i policisë
Është arrestuar drejtuesi teknik i një kantieri ndërtimi në Peqin, pasi inxhinieri humbi jetën gjatë punës teksa ra nga lartësia.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi pasditen e djeshme, gjatë punës në kantierin e ndërtimit, në fshatin Paulesh, ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën inxhinieri, shtetasi G. D., 42 vjeç”, njofton policia.
