Policia suedeze largoi me forcë Greta Thunberg dhe aktivistë të tjerë të klimës që bllokuan hyrjen e parlamentit suedez për të dytën ditë sot.

Dy oficerë e morën Thunberg dhe e tërhoqën zvarrë rreth 20 metra nga dera që ajo kishte bllokuar përpara se ta lëshonin përsëri në tokë. Policia më pas e mori atë, si aktivistët e tjerë, në një furgon policie.

Policia e Stokholmit tha se edhe pse aktivistët kishin të drejtë të protestonin jashtë parlamentit, pesë deri në 10 persona duhej të largoheshin për të mos bllokuar hyrjen në ndërtesë.

Thunberg dhe dhjetëra aktivistë të tjerë të klimës filluan të bllokojnë hyrjet kryesore të parlamentit të Suedisë dje, të hënën, si pjesë e protestës së tyre ulur kundër efekteve të ndryshimeve klimatike dhe asaj që ata thonë se është mosveprim politik.

Aktivistët janë larguar pasditen e djeshme, por janë rikthyer për të vazhduar protestën e tyre mëngjesin e sotëm.

21-vjeçarja Thunberg është bërë fytyra e të rinjve që luftojnë kundër ndryshimeve klimatike, që kur veprimi i saj që nga viti 2018, kur nisi të protestonte çdo të premte para parlamentit suedez, mori shpejt dimensione dhe u zgjerua në një lëvizje globale rinore për të luftuar ndryshimet klimatike me demonstrata të mëdha në mbarë botën.

Thunberg u arrestua vitin e kaluar nga policia ose u largua nga protestat në disa vende, duke përfshirë Suedinë, Norvegjinë dhe Gjermaninë.

Një gjykatë në Britani muajin e kaluar e liroi atë nga akuzat për prishje të rendit publik, pasi një gjykatës vendosi se policia nuk kishte autoritetin për të arrestuar aktivisten dhe të tjerët që morën pjesë në një protestë në Londër vitin e kaluar. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re