Skip to content

Arrestohet ish-kryeministri i Malajzisë për korrupsion dhe shpërdorim detyre

Agjencia kundër korrupsionit e Malajzisë arrestoi sot ish-kryeministrin Muhyiddin Yassin me akuza të shumta, përfshirë pastrim parash, shpërdorim pushteti dhe përfitim nga aktivitete të paligjshme.

Komisioni Kundër Korrupsionit i Malejzisë (MACC) konfirmoi arrestimin e tij, duke zbuluar se ai do të përballet me një sërë akuzash në Kompleksin e Gjykatës në Kuala Lumpur të premten, njofton e përditshmja lokale “The Star”.

Muhyiddin ishte kryeministri i tetë i vendit, duke marrë detyrën në shkurt 2020 pas dorëheqjes së politikanit Mahathir Mohamad. Megjithatë, ai u detyrua të jepte dorëheqje pasi humbi mbështetjen e koalicionit në gusht 2021.

Që nga humbja nga kryeministri Anwar Ibrahim në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ai dhe partia e tij janë përballur me hetime për korrupsion.

“Komisioni i Malajzisë Kundër Korrupsionit (MACC) konfirmon se ka arrestuar ish-kryeministrin në orën 13:00 sipas kohës lokale në selinë e MACC Putrajaya pasi ai u mor në pyetje për të përmbyllur procesin përfundimtar të hetimit në lidhje me projektin Jana Wibawa dhe çështjet e lidhura me të”, tha e përditshmja, duke cituar një deklaratë nga Agjencia kundër korrupsionit.

Muhyiddin dhe ndihmësit e tij të tjerë akuzohen se kanë marrë ryshfet nga kontraktorët në këmbim të projekteve, tha e përditshmja, duke shtuar se ish-kryeministri i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur ato shpifje politike dhe viktimizim.

Ish-ministri i tij i Jashtëm, Saifuddin Abdullah tha se Komisioni kundër korrupsionit pritet të lirojë ish-kryeministrin më vonë të enjten.

“Azhurnimi i fundit është se ai do të lirohet më vonë dhe më pas do të bashkohet me ne për salatul haxhet (namazi i nevojës)”, citohet të ketë thënë Abdullah për të përditshmen.

“Nuk jam i sigurt në çfarë ore, por besoj se do të jetë më vonë”, shtoi ai.
Burimi: AA