Një mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit është vënë në pranga pasi i mori 100 euro një qytetari për të kryer një shërbim.
Mjeku mori shumën e parave për të kryer një akt ekspertimi. Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit në polici nga qytetari 55-vjeçar.
Në këmbim të shërbimit për një çështje të tij, mjeku ligjor kërkoi paratë, në kundërshtim me ligjin.
63-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Si ndodhi ngjarja:
Qytetari 55-vjeçar u dhunua rëndë nga një 36-vjeçar (i arrestuar) për shkak të një konflikti me njëri-tjetrin. Pas plagosjes, 55-vjeçari shkoi në spitalin e Rrëshenit ku u filmua duke i dhënë mjekut ligjor shumën prej 100 eurosh por gjithsesi nuk e mori shërbimin.
I dëmtuari ndodhet në spital nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.