Pikërisht dy ditë pas arrestimit të pronarit të 1.5 ton kokainës në Spanjë, Arjand Ndocit, është arrestuar edhe Arbër Çekaj, pronari i gjysmë toni të kokainës që u kap në Maminas në shkurt.

Bëhet fjalë për pronarin e kompanisë Arbri Garden e cila ishte porositësja e kontenierit me banane nga Kolumbia, brenda të cilit u kap sasia rekord me kokainë.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit bën të ditur se “në kuadër të bashkëpunimit me agjensitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht atë gjermane, është bërë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Arber Çekaj. Arber Çekaj është pronari i firmës Arbi Garden ku u sekuestruan 613 kg kokainë si pjesë e operacionit “Last Snow”. U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjensive të tjera si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda”.

Ndalimi i Çekajt mësohet se ka ndodhur prej më shumë se dy javësh, por arrestimi ka ndodhur vetëm dy ditë më parë.

Në Gjermani kanë qenë edhe agjentë të DEA-s amerikane, tashmë që janë “shqiptarizuar” me hartën e trafikantëve shqiptarë.

Në bashkëpunim me agjentët policore të antidrogës gjermane u arrit kapja e Çekajt, që ka ndodhur në mënyrë “paqësore”.

Nuk dihet nëse ky cilësim flet për pendim të pronarit të Arbri Garden, por fakti që Arbër Çekaj nuk ka bërë rezistencë tregon se ai ka kohë që negocion me autoritetet.

Arbër Çekaj, pronari i ngarkesës me banane ku u zbulua 613 kg kokainë, është hetuar edhe rreth 2 vite më parë si i dyshuar për përfshirjen në trafikimin e kokainës.

Në dhjetor të vitit 2015, kompanisë Arbri Garden të Arbër Çekajt i janë kapur 90 kilogram kokainë në Ekuador.

Për këtë rast, Policia pati referuar materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda më datë 22 dhjetor 2015. Ndërsa në janar të vitit 2016, pas referimit të materialeve, Çekaj është shoqëruar me iniciativën e Policisë për të dhënë deklarimet në lidhje me këtë rast trafikimi, që në fakt ishte parandaluar që në vendin e origjinës. Megjithatë, hetimet për këtë rast zgjatën vetëm disa muaj dhe më pas çështja mbeti pezull në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dosja u arkivua.

Por pas zbulimit të 613 kg kokainë, në magazinat e kompanisë së tij në Maminas, që kësaj here kishte ardhur nga Kolumbia, dosja e dy viteve më parë është hapur duke iu bashkuar procedimit të fundit, për të cilin Arbër Çekaj është shpallur në kërkim. 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re