Këtë të enjte policia malazeze arrestoi një shtetas të Kosovës 48-vjeçar, me iniciale M. V, me dyshimin se në vitin 1999 ka kryer krim lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Siç njoftojnë nga Drejtoria e Policisë, ai është në kërkim nga Interpol UNMIK-u për shkak të pranisë së tij në procedurë penale.

Gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Podgoricë i ka caktuar masën e paraburgimit ekstradues.

Paraburgimi i përkohshëm mund të zgjasë deri në ekstradim, konkretisht maksimumi 40 ditë dhe Kosova do të njoftohet për ndalimin e përkohshëm përmes kanaleve diplomatike, raporton Radio Evropa e Lirë.

Pas kësaj, një nga liderët e Frontit Demokratik pro-rus dhe pro-serb të shpërbërë së fundmi, Milan Knezheviç, i bëri thirrje qeverisë teknike të Dritan Abazoviçit që të mos marrë pjesë në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga Kosova.

“Kjo do të destabilizojë më tej situatën tashmë të keqe politike në Mal të Zi,” tha Knezheviç.

Ai u bëri thirrje të gjithë serbëve dhe malazezëve të zhvendosur në Mal të Zi që të kontaktojnë partinë e tij, në mënyrë që t’u sigurohet çdo lloj ndihme dhe mbrojtje.

Knezheviç tha se në bazë të kërkesës së Prishtinës, dy serbë të zhvendosur në Mal të Zi – Zhivko Vuksanoviç dhe Momçilo Bulatoviç – u arrestuan për krime të dyshuara lufte pas dy dekadash e gjysmë.

Ai i vlerësoi arrestimet e këtyre personave si “terror ndaj popullit serb që po tenton të përhapet në Mal të Zi”.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re